Kërkohet largimi i Dijsselbloem – Deklaroi se, Jugu i shpenzoi paratë për alkool dhe femra
“Gjatë krizës së euros, Europa veriore reflektoi solidaritet me vendet më të goditura. Si socialdemokrat, i jap shumë rëndësi solidaritetit, por ke edhe detyrime, nuk mund të shpenzosh të gjitha paratë për alkool dhe për femra e më pas të kërkosh ndihmë”, këto ishin fjalët e Jeroen Dijsselbloem, kreut të Eurogrupit, për një të përditshme gjermane.
Kjo deklaratë ka shkaktuar një furtunë të vërtetë brenda eurozonës. Italia dhe Franca kërkojnë dorëheqjen e kreut të ministrave të financave të Eurozonës dhe Bashkimit Europian njëkohësisht.
Ish kryeministri italian, Matteo Renzi, i cili mbetet në krye të partisë në qeveri, ka qenë më i prerë se të tjerët në këtë pikë.
“Presidenti i Eurogrupit, Jeroen Dijsselbloem, humbi një rast të mirë për të heshtur. Gjatë një interviste për një të përditshme gjermane lëshoi nga goja disa batuta idiote. Mendoj se njerëz si Dijsselbloem, që pavarësisht se përfaqëson partitë socialiste europiane dhe mesa duket nuk e ka kuptuar ende, nuk meriton të mbajë postin që ka. Sa më parë të dorëhiqet, aq më mirë është”, deklaroi menjëherë Matteo Renzi nëpërmjet rrjeteve sociale.
“Në rast se do të shajë Italinë, ta bëjë në barin poshtë shtëpisë së tij, jo në rolin e tij institucional”, mbylli Renzi fjalën e tij. Edhe në Spanjë, reagimi ka qenë i ashpër.
Disa deputetë spanjollë i kanë kërkuar që të kërkojë falje publike. Pavarësisht skandalit, posti i Dijsselbloem është në rrezik. Ai është ministri holandez i financave, në dalje, duke qënë se zgjedhjet sapo përfunduan në vend dhe do të formohet kabineti i ri.
Për këtë arsye, e ardhmja e tij në krye të eurogrupit është vënë në pikëpyetje.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.