“Kërkohen shqiptarë të zotë në punë financash”! Kur qeveria e Ismail Qemalit ftonte ekonomistët t’i bashkoheshin administratës shtetërore

Përpjekjet për krijimin e një administratë publike profesionale e të pavarur datojnë prej më shumë se 1 shekulli në Shqipëri.
Që nga shpallja e Pavarësisë, shteti i ri shqiptar do t’i kushtonte vëmendje të rëndësishme legjislacionit për administratën publike, ku fokusi ishte që pjesë e strukturave të shtetit shqiptar të ishin personat (shqiptarë) e shkolluar jashtë vendit, që kishin eksperiencë edhe në administratën e mëparshme turke dhe që tregonin integritet të lartë.
E për këtë qëllim, nuk do të mungonin ftesa e thirrje të ndryshme, përfshirë edhe ato të lajmërimeve në media.
Në numrin e parë të saj, gazeta e parë e shtetit shqiptar, “Perlindja e Shqipëniës”, botim i Qeverisë së Vlorës do të bënte apel publik për ata shqiptarë që kishin njohuri e eksperiencë nw fushën e financave.
Në njoftimin e qeverisë shkruhej se “Kërkohen shqiptarë të zotë për punë financash; ata që kanë bërë mësime e shërbime financiare e përveç gjuhës shqipe dijnë edhe një gjuhë të huaj, le të shkruajnë sa më shpejt te Ministria e Financave” shkruhej në njoftimin e gazetës së publikuar në gusht të vitit 1913.
Gazeta që botohej nga Qeveria e Vlorës do të kishte jetëgjatësi të shkurtër e drejtuesi i parë i saj do të ishte Dhimitër Berati, që në vitin 1935 do të bëhej ministër i Ekonomisë.
Kreshnik KUÇAJ/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.