Këshilli Ekonomik, Qato: Te Ministria e Sipërmarrjes, instrument shtesë për biznesin

Këshilli Ekonomik Kombëtar do të kalojë në mbikëqyrje të Ministrisë së Mbrojtjes së Sipërmarrjes, duke u kthyer në një instrument shtesë në duar të biznesit për të orientuar politikat e qeverisë për zhvillimin e ekonomisë”. Lajmi është bërë me dije nga ministrja e shtetit, Sonila Qato e cila mori pjesë në aktivitetin e zhvilluar me rastin e 1-vjetorit të krijimit të Shoqatës “Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë”.
“ Në ditët dhe muajt në vijim, Këshilli Ekonomik Kombëtar do të jetë një Këshill, i cili do të kalojë nën mbikëqyrjen e ministres së Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes dhe do të jetë një tjetër instrument në duart e sipërmarrësve për të trajtuar ato problematika dhe angazhime, që ata kanë nevojë që qeveria të ndërhyjë në politikat e brendshme të zhvillimit të ekonomisë. Unë uroj që bashkëpunimi mes qeverisë, parlamentit dhe sipërmarrjes, si një grup interesi të jetë sa më i frytshëm në mënyrë që të forcojmë edhe më shumë ekonominë e vendit tonë, një ekonomi të fortë e cila do ta bëjë Shqipërinë një vend që ka aspiratat për të hyrë në BE”, tha Qato
Sipas presidentit të Shoqatës së Prodhuesve, Bardhyl Baltëza, politika duhet të kuptojë se s’ka zhvillim ekonomik pa prodhim shqiptar.
“Një gjë duhet të kuptojë politika shqiptare, nuk ka mirëqenie, nuk ka zhvillim ekonomik pa prodhimin shqiptar. Bashkimi i prodhuesve shqiptarë përbëhet sot nga 30 anëtarë që përfaqësojnë rreth 30 sektorë të ndryshëm të industrisë prodhuese të vendit tonë në 12 qarqe të Republikës së Shqipërisë, me një xhiro vjetore 170 mln euro. Më shumë se 10 mijë të punësuar, mbi 100 mln euro eksporte dhe mbi 500 mln euro investime në të gjithë Shqipërinë”, u shpreh Baltëza.
Ceremonia e 1-vjetorit të themelimit të Shoqatës së Prodhuesve Shqiptarë mblodhi bashkë aktorë të rëndësishëm të ekonomisë, politikës dhe medias.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.