Këshilli i Ministrave, miraton shpronësimin e disa pronave private në Durrës, Vlorë dhe Elbasan
Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit të Brendshëm, ka vendosur shpronësimin për interes publik, të një prone private e cila preket nga realizimi i projektit ‘’ Ndërtimi i rrugës paralel me murin rrethues të portit’’. Ky shpronësim do të bëhet në favor të Bashkisë Durrës.
Pronari i pasurisë së paluajtshme, që shpronësohet, do të kompensohet në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse dhe afati i përfundimit të shpronësimit do të jetë tre muaj pas datës së hyrjes në fuqi të këtij vendimi. Vlera e përgjithshme e shpronësimit është rreth 708 mijë lekë, dhe do të përballohet nga të ardhurat e Bashkisë Durrës, planifikuar në buxhetin e saj me vendim të Këshillit Bashkiak.
I njëjti vendim është miratuar dhe për Bashkinë Vlorë, ku për të rikonstruktuar oborrin e shkollës ‘’Ali Demi’’ do të shpronësohet një pronë private. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, për pasurinë “ndërtesë”, është 8 796 650 lekë dhe do të përballohet nga buxheti i Bashkisë Vlorë, për vitin 2019.
Edhe në Elbasan, do të kryhen shpronësime në favor të interesit publik. Për realizimin e projektit për rikonstruksionin e rrugës ‘’Sul Misiri’’, do të shpronësohen prona private. Pronarët e pasurisë të paluajtshme, që shpronësohen, do të kompensohen, në vlerë të plotë, ku vlera e përgjithshme e shpronësimit, arrin vlerën e 519 660 lekësh, e cila do të përballohet nga të ardhurat e Bashkisë Elbasan.
Elefteria Zguri/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.