Këshilli i Ministrave vendos krijimin e ‘Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë së Kujdesit Shëndetësor dhe Shoqëror’ / Ja si do të funksionojë
Këshilli i Ministrave, nëpërmjet një njoftimi zyrtar të publikuar në faqen e kryeministrisë ka bërë me dije se ka vendosur krijimin e ‘Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë së Kujdesit Shëndetësor dhe Shoqëror”.
Krijimi i Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë së Kujdesit Shëndetësor dhe Shoqëror, si person juridik publik buxhetor, do të jetë në varësi të ministrit përgjegjës për shëndetësinë dhe mbrojtjen sociale.
Kjo agjenci do të financohet nga buxheti i shtetit dhe të ardhura të tjera të ligjshme.
Agjencia ka për mision sigurimin e cilësisë së produkteve/përfitimeve të kujdesit shëndetësor me të gjitha elementet e tij nga të gjithë ofruesit (publikë ose privatë), me qëllim garantimin e kujdesit shëndetësor, shoqëror e cilësor dhe të bazuar në standarde, nëpërmjet edukimit, certifikimit dhe kontrollit të sigurisë së shërbimeve për strukturat dhe profesionistët e kujdesit shëndetësor dhe shoqëror.
Agjencia ushtron veprimtarinë e saj në këto fusha përgjegjësie:
a) Vlerësimin e cilësisë, sigurisë dhe akreditimin e institucioneve të kujdesit shëndetësor shqiptar, publike dhe private, dhe të institucioneve të kujdesit shoqëror;
b) Edukimin në vazhdim të profesionistëve të shëndetësisë dhe profesionistëve të shërbimeve të kujdesit shoqëror.
Agjencia ka këto përgjegjësi:
a) Të vlerësojë cilësinë dhe të akreditojë institucionet shëndetësore shqiptare, publike dhe private, dhe institucionet e kujdesit shoqëror;
b) Të ngrejë mekanizmat për vlerësimin e cilësisë së shërbimeve shëndetësore dhe mbrojtjes sociale në të gjitha nivelet;
c) Të zhvillojë kapacitetet nëpërmjet akreditimit të programeve të certifikuara të edukimit në vazhdim për profesionistët shëndetësorë dhe të kujdesit shoqëror;
ç) Të vlerësojë nevojat për formim të vazhdueshëm për kategori të ndryshme të punonjësve të shëndetësisë dhe të kujdesit shoqëror;
d) Të menaxhojë projektet dhe programet e miratuara nga ministria në fushën që mbulon agjencia.
Organizimi dhe funksionimi i agjencisë
- Agjencia e shtrin veprimtarinë e saj në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë dhe organizohet në nivel qendror.
- Agjencia ka lidhje funksionale bashkëpunimi me institucionet e tjera të kujdesit shëndetësor në varësi të ministrit përgjegjës për shëndetësinë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.