Këshilli Mbikëqyrës i BSH mban të pandryshuar normën bazë të interesit!
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi Raportin e Ndërmjetëm të Politikës Monetare. Pasi diskutoi mbi zhvillimet ekonomike e monetare në vend dhe mbi ecurinë e pritur të tyre, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 1.00%, të mbajë të pandryshuar normën e interesit të depozitës njëditore në Bankën e Shqipërisë, në nivelin 0.10% si dhe të mbajë të pandryshuar normën e interesit të kredisë njëditore në Bankën e Shqipërisë, në nivelin 1.90%.
Në fjalën e tij pas mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko tha se ritmi i rritjes ekonomike duket të jetë i ngadalësuar në dymujorin e parë të vitit e ngadalësimi reflekton situatën e prodhimit të energjisë elektrike dhe konjuktura ndërkombëtare për disa mallra që eksportohen.
Sa i përket kursit të këmbimit, Guvernatori tha se ai shfaqet relativisht i qendrueshëm.
I pyetur nga gazetarët lidhur me ndikimin në ekonomi të situatës aktuale politike, Guvernatori tha se nga të dhënat e deritanishme nuk ka akoma një efekt negativ. Megjithatë, çfarëdolloj tensioni nëse është i zgjatur dhe i përshkallëzuar ka efekte në ekonomi.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.