Këshillimi fiskal – Dhoma Amerikane, kundër pr/ligjit për ekspertët
Hartimi i një drafti që synon rregullimin e këshillimin për sektorin fiskal nuk po gjen mbështetje nga komuniteti i biznesit. Kështu pas Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë është Dhoma Amerikane që ka reaguar ndaj projektligjit “Për organizimin dhe funksionimin e Profesionit të rregulluar të Ekspertit Fiskal dhe Institutit të Ekspertëve Fiskalë”, një nismë e Deputetit të Kuvendit z.Gjovalin Kadeli, dhe që tashmë është future në procedurat parlamentare të Komisionit të Ekonomisë.
Me anë të një letre zyrtare, që Dhoma Amerikane i ka nisur Komisionit të Ekonomisë, ministrit të Financave, Arben Ahmetaj dhe atij të drejtësisë, Petrit Vasili, ka paraqitur disa problematika të ngritura nga anëtarët e saj, të cilat janë biznese të regjistruar në fushën e konsulencës, përfshirë zyra avokatore, auditues ligjore dhe kontabilistë të miratuar, në lidhje me këtë projektligj.
Sipas kësaj letre, ata kanë paraqitur shqetësimin për mungesën totale të konsultimit publik. Dhoma Amerikane thekson se relacioni që shoqëron projektligjin nuk paraqitet asnjë analizë, studim apo dhe thjesht problematikat që mund të jenë shfaqur që të ketë krijuar nevojën për rregullimin e këtij profesioni në Shqipëri.
Problematika më e rëndësishme, thekson Dhoma, është kufizimi i shërbimeve të përcaktuara në projektligj vetëm për ekspertët fiskale, duke përjashtuar profesionistët e tjerë që aktualisht i kryejnë këto shërbime.
Drafti ka dhe mbivendosje me aktivitetin e ushtruar nga avokatët për sa i takon përfaqësimit në gjyq të klientëve, si dhe ofrimi i shërbimeve të konsulencës fiskale. Sipas tyre, ka dhe mbivendosja me shërbimet e konsulencës fiskale të ofruara nga auditues ligjore dhe kontabilistë te miratuar.
Sipas kësaj Dhome, këto profesione të rregulluar duhet të vazhdojnë t’i ofrojnë këto shërbime pa patur nevoje që të licencohen si Ekspertë Fiskale, pasi profesionet e tyre janë të rregulluara me ligj dhe janë të mbikëqyrur nga institucione që ofrojnë sigurinë maksimale për shërbimet e ofruara.
Projekt-ligji i jep kontroll mbi profesionin e këshilltarit tatimor dhe autoritet të plotë një OJF të vetme, pikërisht Institutit të Ekspertëve Fiskalë.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.