Këshillimi për biznesin, nis diskutimi për projektligjin e ekspertëve fiskalë

“Të këshillosh bizneset për sistemin e taksimit apo procedurat ligjore mbi veprimtaritë ekonomike”. Kjo do të jetë ajo asistencë që mund t’u jepet sipërmarrjeve të mëdha apo të vogla nga ekspertët fiskalë. Debate të shumta janë zhvilluar për profesionet e lira, pjesë e të cilëve tashmë do të jenë dhe ekspertët fiskalë.
Funksionimi i tyre tashmë do të rregullohet nëpërmjet një projektligji, i cili do të diskutohet të hënën në Komisionin parlamentar të Ekonomisë. Aktualisht këtë asistencë e ofrojnë studiot ligjore dhe ato të kontabilitetit, por në këtë projektligj përcaktohet qartë edhe fusha e veprimit, si dhe ngritja e Institutit të Ekspertëve Fiskalë.
Në relacionin që shoqëron projektligjin thuhet se përgjithësisht ata që janë kontingjent për të përfituar statusin e ekspertit fiskal janë ish-punonjës të tatimeve dhe kjo duhet parë me kujdes në dy aspekte. E para ka të bëjë me mundësinë e braktisjes masive të nëpunësve të tatimeve për të ushtruar këtë profesion dhe e dyta me konfliktin e interesit në dosje të veçanta.
“Duhet mbajtur parasysh që të shmangen lëvizjet masive nga administrata fiskale në praktikën private, pasi nëpunësit fiskalë kanë përfunduar kualifikimin e tyre profesional në administratën fiskale, për këtë, duhet të imponohet një numër i caktuar vjetësh pune pas përfundimit të kualifikimit. Së fundi, dhe në mënyrë që të shmanget konflikti i interesit, një ish-nëpunës i administratës duhet të ndalohet të trajtojë si ekspert e këshilltar privat dosjet ose çështjet e klientëve me të cilët nëpunësi ka pasur kontakt të drejtpërdrejtë apo të tërthortë kur punonte për administratën tatimore” thuhet në projektligj.
Në draft parashikohet edhe funksionimi i Institutit të Ekspertit Fiskal, si dhe kushtet dhe provimet për të përfituar lejen e ushtrimit të profesionit.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.