Kësti i radhës i Greqisë, Moscovici: Progres në reforma, pritet shpejtë një dakordësi

Komisioneri europian për Ekonominë dhe Financat, Pierre Moscovici tha se një dakordësi mbi programin e shpëtimit të Greqisë do të vijë brenda disa javësh dhe se vonesa në arritjen e kësaj marrëveshjeje do të përbënte rrezik.
Kreditorët europianë, udhëhequr nga Gjermania, kërkojnë që vendi të adaptojë reforma të reja mbi pensionet dhe tregun e punës në këmbim të këstit të ri, që Athinës i duhet për të bërë pagesat e borxhit në Korrik. Marrëveshja do të ishte thelbësore për tërheqjen e Fondit Monetar Ndërkombëtar në bord si partner financiar në programin e shpëtimit, diçka që Gjermania e cilëson si të nevojshme në mënyrë që vendi të marrë këstet e radhës të ndihmave.
Moscovici pranoi përpjekjet e Greqisë, duke shtuar se Komisioni Europian pret që vendi të ketë arritur një suficit primar në mbi 3% në raport me Produktin e Brendshëm Bruto, vitin e kaluar.
Kreditorët kishin caktuar një objektiv prej 0.5% për 2016-ën. Komisioneri përsëriti se Athina pritet të arrijë objektivat fiskalë këtë vit dhe në 2018-ën, kur përfundon edhe programi i shpëtimit prej 86 miliardë euro. Vendi e ka ndjerë bllokimin e parasë së programit të shpëtimit. Papunësia qëndron në 23%, niveli më i lartë në Eurozonë. Ekonomia e Greqisë u tkurr me 1.2% në tremujorin e katërt 2016, që përbën performancën më të dobët që prej verës 2015.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.