Këtë vit nis epoka 5G-Pritet që AKEP të tenderojë frekuencat e para
Shqipëria pritet të hyjë këtë vit në gjeneratën e re të shërbimeve të komunikimit të lëvizshëm, përmes zhvillimit të rrjeteve 5G.
Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) ka parashikuar që këtë vit të tenderojë frekuencat e para që do të përdoren për këtë teknologji.
AKEP ka parashikuar disa breza frekuencash për këtë qëllim, por më i rëndësishmi në afatin e shkurtër është brezi 700 Mhz.
Problemi është se ky brez është në përdorim operatorët televizivë, ndaj AKEP i ka kërkuar zyrtarisht Ministrisë së Infrastrukturës lirimin e këtij brezi brenda datës 30 qershor 2020, në linjë me afatet që përcaktuar edhe Bashkimi Europian për vendet anëtare.
Pasi brezi 700 Mhz të jetë i lirë, AKEP do të nisë procedurat ligjore për dhënien e tij në përdorim te operatorët e komunikimeve elektronike.
Testimet e para për teknologjinë 5G u kryen në fund të vitit të kaluar nga kompania Vodafone Albania, që mori një autorizim të posaçëm pë të përdorur frekuencat në brezin 3600-3800 Mhz, për kërkim, matje dhe provë.
Gjenerata 5G është kufiri i ri teknologjik i komunikimeve të lëvizshme, që pritet të sjellë shpejtësi interneti shumë të larta se ato që ekzistuese.
Vlerësohet se rrjetet 5G mund të ofrojnë shpejtësi maksimale interneti deri 10 herë më të larta krahasuar me versionet më të avancuara të teknologjisë 4G.
Megjithatë, kalimi në teknologjinë 5G do të përballet me sfida të shumta. Vitet e fundit, fitimet e kompanive të telekomunikacionit kanë rënë ndjeshëm, çka i ka ulur edhe mundësitë e tyre për të kryer investime të reja në teknologji.
Një problem tjetër mund të jetë përjashtimi i firmave kineze nga zhvillimi i këtyre rrjeteve. Qeveria shqiptare, nën presionin amerikan, vendosi të përjashtojë nga ngritja e rrjeteve 5G prodhuesin më të madh global të infrastrukturës së rrjeteve, Huawei.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.