Kim dhe Soreca: 2020 vit kritik – Ambasadorja e SHBA: Reforma në Drejtësi do i japë fund korrupsionit e krimit
Në një takim me institucionet më të rëndësishme të drejtësisë në vend, Ambasadorja Amerikane në Tiranë Yuri Kim dhe ambasadori i BE, Luigi Soreca nënvizuan se reforma në këtë sektor është pasaporta e Shqipërisë për në Bashkimin Evropian. Ambasadorja e sapo mbërritur në Tiranë tha SHBA qëndrojnë “krahë për krahë” me Shqipërinë në rrugën e vështirë që ka nisur. Kim tha se do të mbështesë vendin për të vënë në zbatim strukturat e reja të drejtësisë për të luftuar krimin dhe korrupsionin dhe se vetëm në këtë mënyrë Shqipëria do të mund të sigurojë një të ardhme ekonomike dhe demokratike.
Ambasadori i Bashkimit Evropian Luigi Soreca tha se 2020 do të jetë viti kritik që do të tregojë dhe konsolidojë në praktikë të gjitha arritjet e mëparshme në reformën në drejtësi, ndërkohë që përsëriti angazhimin e plotë për vijimin e saj. Duke analizuar situatën Soreca thotë se dy janë çështjet emergjente në aspektin afatshkurtër që duhen trajtuar sa i përket Reformës në Drejtësi, plotësimi i vakancave në Gjykatën Kushtetuese dhe të Lartë që i kanë bërë këto dy Gjykata të rëndësishme jofunksionale si dhe mbështetja ndaj SPAK.
Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj tha se shqiptarët presin që reforma në drejtësi të realizohet dhe se është detyrë e organeve të reja për ta përmbushur këtë pritshmëri.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.