Kim Jong Un: Do vazhdojmë të zhvillojmë ‘aftësi të fuqishme goditëse’ që nuk do shkëmbehen apo shiten për asgjë!
Koreja e Veriut do të vazhdojë të zhvillojë “aftësi të frikshme goditëse” që nuk mund të shkëmbehen apo shiten për asgjë, tha udhëheqësi Kim Jong Un, sipas mediave shtetërore të hënën, teksa vizitoi punëtorët e përfshirë në testin më të madh raketor të vendit.
Kim po takohej me zyrtarë, shkencëtarë, teknikë dhe punëtorë që kontribuan në lëshimin e raketës të enjten, për të cilën Koreja e Veriut tha se ishte raketa e saj më e madhe balistike ndërkontinentale (ICBM), njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve KCNA.
“Vetëm kur dikush është i pajisur me aftësitë e frikshme goditëse, fuqinë dërrmuese ushtarake që nuk mund të ndalet nga askush, mund të parandalohet një luftë, të garantohet siguria e vendit dhe të përmbahen dhe vënë nën kontroll të gjitha kërcënimet dhe shantazhet nga imperialistët”, tha Kim.
Ndërsa mbikëqyrte personalisht testin të enjten, Kim tha se ICBM-ja e re do të ndihmonte në pengimin e çdo lëvizjeje ushtarake nga Shtetet e Bashkuara, e cila mbetet teknikisht në luftë me Veriun pasi Lufta Koreane e viteve 1950-1953 përfundoi me një armëpushim dhe jo me një marrëveshje paqeje.
Uashingtoni ka kërkuar të ushtrojë presion ndaj Phenianit që të dorëzohet ose zvogëlojë arsenalin e tij të armëve bërthamore dhe ICBM, të cilat mund të jenë në gjendje të godasin objektiva në Shtetet e Bashkuara.
Por Kim tha se forca e tij vetëmbrojtëse “nuk mund të shkëmbehet dhe as të blihet me asgjë” dhe do të mbahet e palëkundur pa luhatjen më të vogël, pavarësisht sprovave dhe vështirësive të ashpra. Koreja e Veriut do të vazhdojë të ndërtojë një “forcë strategjike më të përsosur dhe më të fortë”, tha Kim, duke iu referuar forcës bërthamore të vendit.
Shtetet e Bashkuara thanë të premten se do të shtyjnë sanksionet e Kombeve të Bashkuara ndaj Koresë së Veriut të forcohen për shkak të “provokimeve gjithnjë e më të rrezikshme”, por Kina dhe Rusia sinjalizuan kundërshtim dhe në vend të kësaj argumentuan që masa të tilla të lehtësohen.
Koreja e Veriut tha se raketa e së enjtes ishte Hwasong-17 dhe Japonia dhe Koreja e Jugut konfirmuan se të dhënat e fluturimit treguan se lëshimi fluturoi më lart dhe më gjatë se çdo test i mëparshëm i Koresë së Veriut.
Por analistët thanë se mbulimi i medias shtetërore dukej se po përpiqej të transmetonte pamjet nga një lëshim i mëparshëm dhe agjencia e lajmeve e Koresë së Jugut Yonhap raportoi të dielën se zyrtarët e inteligjencës në Seul dhe Uashington besojnë se Veriu në fakt testoi një Hwasong-15 ICBM më të vjetër dhe pak më të vogël. RTS
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.