Kina anulon bisedimet me SHBA – Drejt ngrirjes së marrëdhënieve mes dy shteteve
Kina ka anuluar planet për bisedime për tregtinë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe gjasat që të ulen në bisedime sërish, të paktën deri në zgjedhjet e mes mandatit në SHBA, janë thuajse zero.
Pekini ka anuluar kështu edhe planin për të nisur një delegacion në Washington javën e ardhshme, thonë burime pranë palëve, për Bloomberg, Walls Street Journal ndërkohë, shkruan se, Kina ka vendosur të anulojë edhe vizitën e zëvendëspresidentit.
Tensioni mes dy vendeve arriti kulmin me vendosjen e sanksioneve nga Washingtoni drejt Pekinit, për blerjen e pajisjeve ushtarake nga Rusia. Pekini ka kërcënuar me kundërveprim.
Këto janë shenjat e para të një “lufte të ftohtë” në horizont. Marrëdhëniet mes dy vendeve po shkojnë drejt ngrirjes, dhe këtë e paralajmëroi edhe Ministria e Jashtme kineze, kur deklaroi se sanksionet përkthehen në prishje të marrëdhënieve diplomatike dhe ushtarake.
Tashmë, lufta tregtare duket vetëm një pikë në oqean. Të Hënën ndërkohë hyjnë në fuqi tarifat e Kinës ndaj 60 miliardë produkte importi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.