Kina cakton objektivat – Mban rritjen ekonomike në 6.5%, fokusohet te rreziqet financiare
Kryeministri kinez, Li Keqiang tha se vendi synon të rrisë ekonominë me 6.5% këtë vit, e njëjta normë me 2017-ën, ndërkohë që vazhdon fushatën e reduktimit të riskut në sistemin financiar.
Objektivi u mbajt i pandryshuar pavarësisht rritjes së ekonomisë me 6.9% vitin e kaluar.
Analistët presin që ekonomia e dytë më e madhe në botë të humbasë vrull këtë vit, ndërkohë që qeveria vazhdon të përmbajë rritjen e borxhit në korporata, reduktojë nivelin e ndotjes duke ulur mbikapacitetin dhe trajtuar rritjen e çmimit të pronave.
Kryeministri tha gjithashtu se buxheti ushtarak këtë vit do të rritet me 8.1% nga viti 2017, në 175 miliardë dollarë.
“Kina do të përshpejtojë të gjithë aspektet e trajnimit ushtarak dhe do të mbrojë interesat e sovranitetit kombëtar, sigurisë dhe zhvillimit”, tha Li Keqiang.
Mbi tensionet tregtare që morën vrull javën e kaluar nga lajmërimet e Donald Trump për tarifa mbi çelikun dhe aluminin, Li tha se Kina është kundër proteksionizmit dhe mbështet zgjidhjen e konflikteve tregtare nëpërmjet negociatave.
Ai shtoi se vendi do të vazhdojë të mbajë valutën të qëndrueshme. Mbi politikat monetare, Li tha se do të vazhdojnë të jenë neutrale dhe se do të ketë një likuiditet të qëndrueshëm.
Ndërkohë që Banka Qendrore ka rritur normat në tregun e parasë për të dekurajuar huadhënien me rrezik, institucioni ka ofruar gjithashtu fonde për tregjet gjatë shqetësimeve të tkurrjes së parasë, dhe huadhënia bankare shënoi nivel rekord vitin e kaluar.
Li tha se pret një rritje të arsyeshme të treguesit të ofertës së parasë M2 dhe financimit social këtë vit, pa caktuar ndonjë objektiv.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.