“Kina do hapë ekonominë” – Li Keqiang i kundërpërgjigjet proteksionizmit, pritet pakti tregtar i Azisë
Kryeministri kinez, Li Keqiang, tha se Kina do të vazhdojë hapjen e ekonomisë në kundërpërgjigje të rritjes së proteksionizmit, ndërkohë që arriti në takimin e liderëve të Azisë së Paqësorit në Singapor, që do të fokusohen në arritjen e një marrëveshjeje të rëndësishme tregtare. “Kina i ka hapur dyert botës dhe nuk do t’i mbyllim më kurrë”, tha Li Keqiang. Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, do të mungojë në takimin e kësaj jave.
Trump ka quajtur shumë pakte tregtare të padrejta dhe i ka bërë presion kinës që të ulë deficitin tregtar, heqë praktikat e vjedhjes së pronës intelektuale dhe barrierat për kompanitë amerikane që hyjnë në tregun kinezë. Zv/presidenti Mike Pence do të jetë i pranishëm në vend të Trump, ndërsa presidenti rus Vladimir Putin, kryeministri indian Narendra Modi dhe kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe, pritet të jenë gjithashtu prezent në Shoqatën e Kombeve të Azisë Juglindore (ASEAN).
Li Keqiang tha se Kina do të bashkëpunojë me të gjithë palët për të përshpejtuar negociatat mbi Partneritetin Gjithëpërfshirës Ekonomik Rajonal (RCEP), një marrëveshje tregtare që thuhet se do të përfshijë më shumë se 30% të PBB botëror. Pakti mes 16 vendeve do të përfshijë Australinë, Kinën, Indinë, Japoninë, Zelandën e re dhe Korenë e Jugut, por do të përjashtojë Shtetet e Bashkuara. Megjithatë, përfundimi i paktit do të kërkojë shumë punë dhe nuk pritet deri në fund të vitit të ardhshëm.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.