Kina do të vaksinojë fëmijët deri në 3 vjeç – Ndër pak vende që e bëjnë. Autoritetet, zero tolerancë ndaj infeksionit
Fëmijët deri në moshën 3-vjeçare, do të marrin vaksina të Covid-19 në Kinë, ku 76% e popullsisë është vaksinuar plotësisht dhe autoritetet kanë ruajtur qasjen e tolerancës zero kundër vatrave të infeksionit. Kina është bërë një në pak vende në botë që vaksinon fëmijë kaq të vegjël kundër virusit. Kuba, i vetmi vend tjetër, po nis një fushatë të vaksinimit për fëmijët deri në 2-vjeç.
Shtetet e Bashkuara dhe shumë vende europiane kanë lejuar doza të vaksinës deri në 12- vjeç, pavarësisht se Amerika po përpiqet të përfshijë edhe grupmoshën 5-11 vjeç. Qeveritë lokale dhe në rang province, në të paktën 5 provinca kineze, kanë lajmëruar në ditët e fundit se fëmijëve në moshë 3-11 vjeç do t’i kërkohet vaksinimi.
Ky zgjerim i fushatës së vaksinimit vjen ndërkohë që shumë qytete në Kinë po vendosin masa të karantinës për të ndaluar vatrat e vogla.. Komisioni Kombëtar i Shëndetësisë, raportoi se 35 raste të reja të infeksioneve lokale janë zbuluar në 24 orët e fundit. Kina ka aplikuar kufizime, karantina dhe testime të detyrueshme përgjatë pandemisë, ndërkohë që ka ndaluar kryesisht rastet e infeksioneve lokale, pasi ka vaksinuar 1.07 miliardë njerëz, nga popullsia prej 1.4 miliardë.
Qeveria ka shfaqur shqetësime mbi përhapjen e variantit Delta nga udhëtuesit dhe kërkon të vaksinojë në masë publikun përpara lojërave Olimpike Dimërore të Pekinit në Shkurt. Vaksinat më të përdorura në Kinë, ato të Sinphoarm dhe Sinovac, kanë treguar efikasitet në parandalimin e sëmundjes së rëndë, bazuar në të dhënat publike. Por mbrojtja që ofrojnë ndaj variantit mbizotërues Delta, nuk është publikuar në mënyrë të plotë.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.