Kina, drejt miratimit të një tjetër vaksinë – Injektimi është 100% efikas në rastet e rënda me Covid-19
Autoritetet në Kinë kanë miratuar me kushte një tjetër vaksinë kundër Covid-19, e cila është zhvilluar nga Akademia e Shkencave Ushtarake dhe nga kompania CanSino. Gjatë testeve të zhvilluara në Pakistan, vaksina ka rezultuar 100% efektive në rastet e rënda me Covid-19.
Rregullatori i barnave në Kinë ka miratuar aplikimin e një vaksine kundër Covid-19 të prodhuar në vend, por me kushte. Në këtë mënyrë, Administrata Kombëtare e Produkteve Mjekësore i ka dhënë dritën jeshile vaksinës së zhvilluar nga një ekip kërkimor i Akademisë së Shkencave Ushtarake dhe nga kompania biofarmaceutike kineze e teknoligjisë së lartë, CanSino Biologics. I kryesuar nga Chen Wei, një shkencëtar i akademisë së Institutit të Mjekësisë Ushtarake, ekipi zhvilloi një vaksinë rekombinante me adenovirusit e modifikuar si vektor.
Administrata Kombëtare e Produkteve Mjekësore kërkoi që ekipi i Chen të vijojë punën kërkimore, të përmbushë kërkesat për miratimin e kushtëzuar të marketingut dhe të paraqesë rezultatet në kohën e duhur. Në 16 mars të vitit 2020, vaksina filloi fazën e parë të provave klinike në qytetin e Vuhanit, aty ku filloi pandemia. Në atë kohë, ishte ndër vaksinat e para që nisi provat klinike. Në 8 shkurt të këtij viti, përfundoi analiza e të dhënave të fazës së tretë të testimit.
Gjatë kësaj faze, në testimet e zhvilluara në Pakistan vaksina rezultoi 100% efikase në parandalimin e rasteve të rënda me Covid-19, 28 ditë pas marrjes së dozës së parë. Ndërsa shkalla e përgjithshme e efikasitetit qëndron në 74.8%. Kjo vaksinë ka marrë tashmë miratimin për përdorim emergjent në Pakistan dhe në Meksikë. Chen shpreson se vaksina e re do të ndihmojë jo vetëm Kinën, por të gjithë botën, në përpjekjet për të parandaluar përhapjen e Covid-19.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.