Kina e mbyll 2017 me rekord – Rritja ekonomike në 6.9%, hera e parë që prej 2010 në përshpejtim

Ekonomia kineze regjistron një përshpejtim të rritjes ekonomike vjetore për të parën herë që prej 2010-ës, tregojnë të dhënat më të fundit. I gjithë viti i kaluar është mbyllur me një normë rritje prej 6.9%, nga 6.7% të vitit të kaluar, kur regjistronte performancën më të dobët në 26 vite.
Tremujori i fundit i vitit të kaluar ndërkohë u mbyll me një rritje ekonomike prej 6.8%, çka ka gjeneruar edhe normën e kënaqshme vjetore.
Të dhënat e sapo publikuara flasin për një tejkalim të objektivit të qeverisë, për një normë rritje ekonomike prej 6.5%, si dhe lehtë mbi pritshmëritë e Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, që flisnin për një normë rritje pranë 6.8%.
Ky rezultat i jep më shumë hapësira qeverisë për të manovruar në drejtim të frenimit të borxhit të lartë publik, si dhe t`i japë shtysë vendit drejt teknologjive më pak ndotëse. Pak ditë më parë, të dhënat tregonin edhe një rritje të tregtisë së jashtme me 14.2% gjatë vitit, pas rreth dy vitesh në kontraktim.
Aktualisht, ekonomia kineze po kalon një periudhë transformimi, duke rimodeluar ekonominë e vjetër.
Sa i përket vitit aktual, ekonomistët presin një rritje ekonomike pranë 6.5% ndërkohë që rreziku numër një projektohet Donald Trump dhe politikat e tij proteksioniste.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.