Kina “i bën premtim vetes” – Synon rritje të ekonomisë me 6% për vitin 2021
Kina ka vendosur objektivin e rritjes prej mbi 6% për 2021, njoftoi Kryeministri kinez Li Keqiang të Premten në një takim parlamentar vjetor – ngjarja më e rëndësishme politike e vendit.
Kina raportoi rritje të PBB-së me 2.3% vitin e kaluar – e vetmja ekonomi e madhe që u zgjerua mes pandemisë së koronavirusit. Shifrat zyrtare ekonomike të vendit shpesh dyshohen për saktësinë e tyre.
Li njoftoi objektivin e rritjes në një raport të punës së qeverisë të dorëzuar në ceremoninë e hapjes së Kongresit Kombëtar të Popullit.
Kryeministri raportoi një ton të përgjithshëm pozitiv në rimëkëmbjen ekonomike të Kinës nga pandemia, ndërsa vuri në dukje fushat e dobësisë të tilla si “pengesat” për shpenzimet e konsumatorit, kushtet e vështira për bizneset e vogla dhe presionin në rritje në ruajtjen e punësimit të qëndrueshëm.
Për vitin 2021, Li tha se Kina synonte një normë papunësie urbane prej rreth 5.5% dhe synonte krijimin e më shumë se 11 milion vendeve të reja të punës urbane, njësoj si në 2019 dhe nga 9 milion vitin e kaluar.
Kina do të synojë gjithashtu për një rritje me rreth 3% në indeksin e çmimeve të konsumit, një masë e inflacionit, tha Li.
D.B – SCAN
Burimi: CNBC
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.