Kina kalon objektivat – Ekonomia rritet me 6.8%, konsumi i fortë ul shqetësimet tregtare
Ekonomia kineze u rrit me 6.8% në tremujorin e parë, nxitur nga kërkesa konsumatore, eksportet dhe investimet e mëdha në prona.
Të dhënat sipër pritshmërive për ekonominë e dytë më të madhe në botë pritet të ruajnë rritjen e sinkronizuar të ekonomisë globale, pavarësisht se Kina përballet me rritjen e tensioneve tregtare me SHBA, që mund të sjellë humbjen e miliarda dollarëve.
Ekonomistët presin ende që Kina të humbasë vrull në tremujorët e ardhshëm, ndërkohë që Pekini i bën thirrje qeverive lokale që të shkurtojnë projektet e infrastrukturës për të përmbajtur rritjen e borxhit dhe ndërkohë që shitjet e pronave ngadalësohen për shkak të kontrolleve strikte të Qeverisë.
Konsumi kontribuoi për thuajse 80% të rritjes ekonomike në tremujorin e parë dhe ka luajtur një rol kritik në mbështetjen e ekonomisë, ndërkohë që rreziqet janë rritur për eksportuesit kinezë.
Shitjet me pakicë, tregues i konsumit, u rritën me 10.1% me bazë vjetore gjatë Marsit. Rritja e Produktit të Brendshëm Bruto në tremujorin e parë u mbështet gjithashtu nga eksportet, ndërkohë që dërgesat drejt SHBA u rritën me 14.8% me bazë vjetore. Analistët kanë spekuluar se firmat kineze kanë përshpejtuar eksportet përpara vendosjes së tarifave nga Donald Trump.
Rritja ekonomike ka qëndruar sipër objektivit të Qeverisë prej 6.5%, duke i dhënë hapësirë politikëbërësve që të trajtojnë rreziqet në sistemin financiar dhe frenojnë ndotjen.
Autoritetet kanë premtuar vazhdimisht për të ulur nivelin e borxhit të korporatave, megjithatë kanë vepruar me kujdes për të shmangur ngecjen e aktivitetit të bizneseve.
Pekini është angazhuar gjithashtu në reduktimin e ndotjes nga fabrikat, duke inkurajuar një rritje ekonomike më të qëndrueshme dhe cilësore nga sektorë alternativ si teknologjia.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.