Kina “liron” sektorin financiar – Rrit limitin e zotërimit nga investitorët e huaj për firmat financiare
Qeveria kineze deklaroi ditën e fundit të kësaj jave se do të rrisë limitin e zotërimit të kompanive financiare të vendit nga investitorët e huaj, një lëvizje e pritur prej kohësh që i jep më shumë akses investitorëve ndaj tregut gjigant të shërbimeve financiare.
Lajmërimi nga zv/ministri i Financave Zhu Guangyao, vjen 1 ditë pasi presidenti Donald Trump përsëriti komentet për më shumë akses ndaj tregut kinez. Këto ndryshime përfshijnë rritjen e limitit për zotërimet e investitorëve të huaj në firmat me kapital të përbashkët të përfshira në tregun e produkteve derivative, letrave me vlerë dhe të kapitalit, në 51% nga 49% që ishte më parë.
Komuniteti i jashtëm i biznesit i mirëpriti këto lajme, por bëri thirrje për kujdes deri sa të jetë e qartë mënyra se si do të zbatohen rregullat. Plani për të lehtësuar kufizimet në zotërimet e investitorëve të huaj vjen ndërkohë që Pekini përballet me presione të vazhdueshme nga qeveritë perëndimore dhe grupet e biznesit për të hequr barrierat ndaj investimeve dhe rregulloreve tejet të ashpra që limitojnë operacionet e kompanive të huaja në tregun e brendshëm.
Gjatë vizitës së tij në Pekin këtë javë, Trump tha se tregtia mes dy palëve ka qenë e padrejtë dhe bëri thirrje për më shumë akses në tregun kinez nga kompanitë amerikane.
“Duhet të trajtojmë çështje si aksesi, transferimin e detyruar të teknologjisë si dhe vjedhjen e pronës intelektuale, që po i kushton Shteteve të Bashkuara dhe firmave amerikane të paktën 300 milirdë dollarë në vit”, tha Donald Trump.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.