Kina monitoron politikat e SHBA – Nuk është dakord me bllokimin e investimeve të huaja
Ministria e tregtisë në Kinë deklaroi se do të monitorojë me kujdes politikat e SHBA mbi investimet e huaja, duke theksuar se vendi kundërshton përdorimin e motiveve të sigurisë kombëtare për të kufizuar investimet. Presidenti i SHBA, Donald Trump, tha gjatë kësaj jave se do të përdorë një hetim mbi sigurinë kombëtare për të frenuar blerjet kineze të teknologjisë së rëndësishme amerikane. Departamenti i Thesarit në SHBA ka rekomanduar që Trump të përdorë Komisionin e Investimeve të Huaja (CFIUS), autoriteti i të cilit do të fuqizohet nga ligje të reja në Kongres, për të kontrolluar investimet.
Legjislacioni do të zgjerojë spektrin e transaksioneve që mund të rishikohen nga paneli i agjencisë. “Kina do të monitorojë me detaje procesin ligjor dhe do të vlerësojë ndikimin te kompanitë kineze. Kina nuk është dakord me përdorimin e motiveve të sigurisë kombëtare për të ndaluar investimet”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Tregtisë, Gao Feng. Këto veprime janë pjese e përpjekjeve të administratës së Donald Trump për t’i bërë presion Pekinit që të ndryshojë praktikat tregtare, transferimin e detyruar të teknologjisë dhe politikave industriale.
SHBA ka akuzuar prej kohësh KinëN për vjedhjen e pronës intelektuale nëpërmjet kërkesave të sipërmarrjeve të përbashkëta, licencimit të padrejtë dhe blerjeve strategjike të firmave të teknologjisë amerikane. Zëdhënësi i Ministrisë së Tregtisë tha gjithashtu se bashkëpunimi i Kinës me Europën do të sjellë një rritje të besueshmërisë në ekonominë globale ndërkohë që të dyja palët kudërshtojnë në mënyrë të hapur proteksionizmin.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.