Kina nuk tërhiqet, “dhëmbë për dhëmbë” me Amerikën
Kina nuk ka ndërmend të stepet nga planet e saj për tu shtrirë në të gjithë botën dhe këtë e ka konfirmuar presidenti kinez Xi Jinpging në Ekspozitën e Import-Eksportit mbajtur në Shangai.
Në funksion të zotimit për tregti të lirë dhe ekonomi të globalizuar, Xi Jinpging deklaroi: “Jo vetëm që nuk do i mbyllim dyert ndaj pjesës tjetër të botës, por do i hapim më shumë. Të gjitha vendet duhet të punojnë drejt zgjerimit dhe të luftojnë proteksionizmin me një strategji të qartë. Izolimi nuk sjell gjë tjetër veçse prapambetje”. Sipas Jinpging, është e rëndësishme që të bashkëpunohet në nivel global për të shmangur “infektimin” nga retorika nacionaliste.
Në aktivitetin që mirëpret 3600 kompani nga e gjithë bota dhe ku përfaqësohen 172, u fol gjithashtu edhe për ekonominë kineze. Praktika e deritanishme e vendosjes së fqinjit në vështirësi, është shkaktari kryesor për stanjacionin e ekonomisë globale. Për këtë arsye, Kina do reduktojë importet dhe do e hapë tregun e brendshëm drejt konsumit të produkteve nga jashtë. Gjithashtu, synohet forcimi i të drejtës mbi pronën intelektuale dhe nisja e negociatave me Europën, Japoninë dhe Korenë e Jugut.
“Me forcimin dhe shtrirjen e mëtejshme të globalizimit, do marrë fund ‘ligji i xhunglës’ ku më i forti i merr të gjitha”, vazhdoi presidenti kinez duke u pozicionuar qartazi kundër presidentit amerikan Donald Trump. Një deklaratë e tillë është e një rëndësie jo të vogël duke qenë se u bë e ditur përballë liderëve dhe personaliteteve më të rëndësishëm botërorë siç janë kreu i Fondit Monetar Ndërkombëtar, Christine Lagarde dhe themeluesi i Microsoft, Bill Gates.
Trump dhe Xi priten të takohen në fund të këtij muaji në samitin ndërkombëtar në Argjentinë, event ky që rikthen shpresat për një shuarje të tensioneve politike dhe tregtare midis dy vendeve. Duhet thënë se tensionet midis dy vendeve i shfaqën pasojat në ekonominë kineze tetor të këtij viti, kur rritja ekonomike kapi nivelin e saj më të ulët që nga kriza financiare e vitit 2008. Te dyja shtetet caktuan tarifa mbi produktet e tregtuara duke shkaktuar kështu veçanërisht një presion të madh mbi ekonominë kineze.
Përshtati në shqip: Ergisa Bejkollari/ Scan- Tv
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.