Kina raporton raste të reja të virusit/ Ekspertët thonë se e kanë nën kontroll. Shqetëson Viti i Ri kinez

Kina raportoi 17 raste të tjera të pneumonisë në fundjavë, që mendohet se është shkaktuar nga një Koronavirus i ri, duke rritur shqetësimet e përhapjes ndërkohë që vendi përgatitet të festojë Vitin e Ri, një event ku udhëtojnë qindra miliona njerëz.
Sipas Komisionit Shëndetësor të Vuhanit, ku është shfaqur virusi i ri, numri total i pacientëve të infektuar është rritur në 62 dhe 2 prej tyre kanë vdekur.
Virusi i ri është pjesë e familjes së madhe të koronaviruseve që përfshijnë SARS, që vrau 800 persona në të gjithë botën në vitin 2002 dhe e kishte gjithashtu origjinën nga Kina.
Pavarësisht se ekspertët thonë se ky virus nuk është aq vdekjeprurës, nuk ka ende detaje mbi origjinën dhe mënyrën e përhapjes.
Tajlanda dhe Japonia kanë konfirmuar raste të reja të virusit, ku përfshiheshin njerëz që kanë udhëtuar në Vuhan.
Autoritetet në të gjithë botën, përfshirë SHBA, Tajlandën dhe Korenë e Jugut, kanë shtuar kontrollet e personave që udhëtojnë nga Vuhani, në përpjekje për të parandaluar përhapjen.
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar gjithashtu për një përhapje më të madhe, por ka këshilluar që të mos vendosen barriera të udhëtimit për Kinën.
Komisioni i Shëndetit në Vuhan ka thënë se personate diagnostikuar me virusin e ri janë në gjendje të qëndrueshme.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.