Kina reagon ndaj tarifave – Shënjestron $60 mld mallra. Li premton mos ndërhyrjen te valuta
Kryeministri kinez, Li Keqiang, premtoi se vendi nuk do të zhvlerësojë valutën për të fituar avantazh në tregti, disa orë pasi Kina u kundërpërgjigj ndaj tarifave të Shteteve të Bashkuara. Gjatë një fjalimi në Forumin Ekonomik Botëror në Tianjin, Li tha se akuzat se Pekini ka zhvlerësuar me qëllim valutën janë të pasakta. “Zhvlerësimi i njëanshëm i juanit sjell më shumë dëme se sa përfitime për kinën. Vendi nuk do të përdorë këtë praktikë për të stimuluar eksportet”, tha kryeministri.
Komentet e tij i dhanë nxitje juanit kinez, që kishte humbur rreth 9% të vlerës që prej mesit të muajit Prill, kryesisht prej luftës tregtare. Ditën e Martë, Pekini shtoi 60 miliardë dollarë mallra amerikanë të importit në listën e tarifave, duke u kundërpërgjigjur ndaj lajmërimit të Donald Trump për të taksuar 200 miliardë dollarë mallra kinezë.
SHBA deri më tani kishte vendosur tarifa në 50 miliardë dollarë produkte kineze, për t’i bërë presion vendit që të ndryshojë praktikat e padrejta në tregti, transferimin e detyruar të teknologjisë dhe subvencionet në industri. Tarifat e reja amerikane do të nisin më 24 Shtator në 10% dhe do të rriten në 25% deri në fund të 2018-ës. Sipas analistëve, kjo do ti heqë 0.5% rritjes së Produktit të Brendshëm Bruto kinez.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.