Kina rrëzon naftën – Importet bien në 7.3 mln fuçi në ditë

Çmimet e naftës po qëndrojnë në rënie të lehtë edhe në sesionin e sotëm, për shkak të rënies së importeve të naftës nga Kina, në nivelin më të ulët në 1 vit. Por në anën tjetër, humbjet janë kufizuar nga rritja e tensionit politik në Lindjen e Mesme. Tregtarët shprehen se, po ndjekin me një interes të veçantë, përshkallëzimin e tensionit midis Arabisë Saudite dhe Iranit.
Nafta Brent e Londrës po tregtohet pranë 63.6 dollarëve për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet pranë 57 dollarëve për fuçi. Gjithsesi, nafta Brent vazhdon të tregtohet pranë nivelit më të lartë që nga mesi i vitit 2015, e mbështetur edhe nga aksioni kundër korrupsionit në Arabinë Saudite. Importet e naftës nga Kina ranë në 7.3 milionë fuçi në ditë, gjatë tetorit, që është niveli më i ulët në 1 vit. Ndërsa në shtator, importet prekën një nivel rekord prej 9 milionë fuçi në ditë.
Sipas analistëve, importet e ulëta reflektojnë më pak blerje nga rafineritë në Kinë, pasi shumica e tyre po tejkalojnë kuotat për këtë vit. Vetëm gjatë tetorit, çmimet e naftës janë rritur me rreth 14%, të mbështetur nga përpjekjet e OPEC për të balancuar tregun dhe së fundmi edhe nga tensioni politik në Lindjen e Mesme.
Ndërkohë, në raportin e fundit mbi parashikimin për ecurinë e tregut të naftës, OPEC pret që kërkesa të rritet më ngadalë në 2 vitet e ardhshme, krahasuar me vlerësimet paraprake.
Lidon Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.