Kina: SHBA nuk mund të arrijë një marrëveshje tregtare me anë të presionit
Shtetet e bashkuara nuk mund të ushtrojnë presion për të imponuar një marrëveshje tregtare me Kinën, deklaroi të dielën një zyrtar i lartë dhe negiociator kinez, i cili refuzon refuzoi të tregonte nëse të dy vendet do të takohen gjatë Samitit të G20 për të nënshkruar një dakordësi.
Tensionet e tregtisë u përshkallëzuan ashpër muajin e kaluar, pasi administrata e Presidentit të SHBA, Donald Trump, akuzoi Kinën se kishte “mohuar” premtimet e saja të mëparshme për të bërë ndryshime strukturore në praktikat e saj ekonomike. Uashingtoni më vonë vendosi tarifa shtesë prej 25% mbi 200 miliardë dollarë mallrash kineze, duke shtyrë kështu Pekinin të hakmerret.
Duke folur në një konferencë shtypi, ministri kinez i tregtisë së jashtme, Wang Shouwen tha se ishte e papërgjegjshme që Shtetet e Bashkuara të akuzonin Kinën për kthim mbrapa në premtimet e dhëna më parë. “Nëse pala amerikane dëshiron të përdorë presion ekstrem, të përshkallëzohet fërkimi tregtar, të detyrojë Kinën të paraqesë dhe të bëjë lëshime, kjo është absolutisht e pamundur”, tha Wang, i cili ka qenë pjesë e ekipit negociator të Kinës.
Thuhet se presidenti Trump do të takohet me presidentin Xi Jinping në samitin e G20 në Osaka në fund të muajit, edhe pse Kina vazhdimisht ka refuzuar ta konfirmojë këtë.
“Shtetet e Bashkuara mbivlerësojnë deficitin tregtar mes dy vendeve dhe Kina nuk duhet të fajësohet për humbjet e vendeve të punës në sektorin e prodhimit amerikan,” tha Wang. “Deficiti i mallrave dhe shërbimeve amerikane me Kinën është në të vërtetë rreth 150 miliardë dollarë dhe jo 410 miliardë dollarë sikurse kanë cituar zyrtarët amerikan. Tregtia e përpunimit të Kinës me Shtetet e Bashkuara nuk duhet të përfshihet në llogaritjet e deficitit tregtar,” shtoi ai.
Wang gjithashtu tha se Kina nuk i udhëzon kompanitë vendase për të marrë projekte dhe teknologji të caktuara. Shtetet e Bashkuara janë ankuar për vjedhjen e pronësisë intelektuale nga Kina, të cilën Pekini e ka quajtur “mjet politik” për të shtypur zhvillimin e Kinës. Sidoqoftë ai përmbylli fjalimin e tij i sigurt se vendi i tij do të mund të kishte qëndrueshmëri në rritjen ekonomikë përpos konfliktit me SHBA.
Burimi: Reuters
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.