Kina shqetëson – Industria ngadalëson hapin, sinjale negative
Fitimet e kompanive industriale në Kinë u rritën me 14% gjatë muajit Prill në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, tregojnë të dhënat e fundit. Të dhënat përkthehen në një ngadalësim të hapit të rritjes, në krahasim me muajin Mars të këtij viti, dhe rrisin ndjeshëm shqetësimet se, ekonomia e dytë më e madhe në botë po e humbet vrullin.
Fitimet e industrisë gjatë prillit u rritën në 83.59 miliardë dollarë, thotë Byroja Kombëtare e Statistikave. Gjatë Marsit ndërkohë, rritja fiksohej në 23.8%, në krahasim me marsin e vitit 2016. Për katër muaj e parë të vitit, fitimet e industrisë u rritën me 24.4%, ndërkohë që në tremujorin e parë rritja fiksohej në 28.3%, të dhënat sinjalizojnë se, në tremujorin e dytë të vitit, sektori industrial ka ngadalësuar ndjeshëm hapin e rritjes, në krahasim me tre muaj e parë të vitit.
Tregjet e kishin parashikuar një ngadalësim të tillë, por jo në këtë masë. Shqetësimet tashmë janë rritur ndjeshëm. Performanca e dobët vjen kryesisht si pasojë e rritjes së çmimeve të një sërë lëndësh të para, kryesisht metale.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.