Kinë-SHBA, ka progres – Bisedimet për tregtinë po përparojnë
Kina dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës po punojnë ditë e natë për të arritur një marrëveshje tregtare mes tyre, që të jetë në interesin e të dyja palëve, deklaroi një zyrtar i lartë i qeverisë kineze.
Zëvendës Ministri i Tregtisë në vend shtoi se, ai është optimist në lidhje me këto bisedime, por se çdo lloj mekanizmi tregtar i arritur duhet të jetë i drejtë dhe i barabartë.
Qeveritë e dy ekonomive më të mëdha të botës janë mbyllur prej muajsh në bisedime intensive, për t`i dhënë fund një beteje mjaft të ashpër tregtare që ka pasur impakt në thuajse çdo cep të globit.
Washingtoni kërkon medoemos që Pekini zyrtar të adresojë çështjet e vjetra, si ato të praktikave tregtare dhe sidomos ato të teknologjisë që Kina aplikon prej dekadash, si dhe çështjen mjaft delikate të të drejtave të pronës intelektuale, pra miratimin dhe produktet e falsifikuara.
Përparimi në këto bisedime bëri që Shtëpia e Bardhë të shtyjë në kohë hyrjen në fuqi të tarifave mbi 200 miliardë dollarë importe nga Kina. Këto tarifa duhet të hynin në fuqi më 2 Mars.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.