Kinezët synojnë “MoneyGram” – Oferta e “Ant Financial” rritet në $1.2 mld, pritet miratimi rregullator

Kompania kineze “Ant Financial”, filial i grupit “Alibaba”, ka rritur ofertën për firmën e pagesave elektronike “MoneyGram” dhe marrëveshja u miratua në mënyrë unanime nga bordi i kompanisë amerikane.
Oferta kineze ka nxjerrë jashtë loje përpjekjet e kompanisë amerikane të pagesave elektronike, “Euronet Worldwide”.
“Ant Financial” ka rritur ofertën në 18 dollarë për aksion në cash, nga 13.25 dollarë që ishte më parë. Transaksioni vlerësohet tashmë në 1.2 miliarë dollarë deklarojnë “Ant” dhe “MoneyGram”.
Nëse marrëveshja ecën mirë deri në përfundim, do të përbënte hapin e parë gjigant të kompanisë kineze për të zgjeruar biznesin jashtë vendit.
“Ant Financial” vlerësohet në rreth 60 miliardë dollarë dhe po planifikon të listohet në bursë, nëpërmjet një oferte publike fillestare.
Të dy firmat deklarojnë se kanë bërë progres drejt aprovimeve rregullatore që duhen për të përfunduar transaksionin. Marrëveshja do të rishikohet nga Komisioni për Investimet e Huaja në SHBA (CFIUS), që ka ndaluar më parë ofertat kineze dhe konsiderohet si hapi i fundit i kësaj blerjeje.
Oferta e “Euronet” ka gjasa të jetë më e pëlqyeshme nga politikëbërësit amerikan, në një kohë të rritjes së shqetësimeve mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara mbi tregtinë dhe politikat e jashtme.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.