Kjo gjendje prek 6 në 10 foshnja – Ky startup po e lufton atë me krevate me energji diellore!

Në vitin 2015, Virtue Oboro përjetoi makthin më të keq të çdo nëne: në moshën vetëm 48 orëshe, djali i saj i porsalindur u dërgua me urgjencë në spital për trajtim urgjent. Djali i saj, Tombra, u diagnostikua me verdhëz, një gjendje e zakonshme që prek më shumë se 60% të të porsalindurve në mbarë botën. Shumë raste janë të lehta dhe zgjidhen vetë, por rastet më serioze kërkojnë fototerapi, ku foshnjat vendosen nën dritën blu.
Është një trajtim i thjeshtë dhe efektiv — por në disa vende, duke përfshirë vendin e origjinës së Oboros, Nigerinë, qasja në pajisjet e nevojshme nuk është gjithmonë e mundur. Mosmarrja e trajtimit mund të çojë në probleme të pakthyeshme shëndetësore, duke përfshirë humbjen e dëgjimit, dëmtimin e shikimit, dëmtimin e trurit dhe paralizën cerebrale. Në raste të rralla, mund të çojë në vdekje.
Rasti i Tombra ishte i rëndë, por nuk kishte njësi fototerapie dhe familja priti katër orë ndërsa gjendja e tij u përkeqësua.
Përfundimisht, atij iu dha një transfuzion gjaku urgjent — një operacion i rrezikshëm që bleu kohë të vlefshme derisa një njësi fototerapie u bë e disponueshme. Oboro thotë se ajo duhej ta blinte vetë llambën dhe ndërprerjet e energjisë bënë që njësia të ishte e fikur për disa orë gjatë trajtimit shtatëditor të Tombra.
Pavarësisht pengesave të shumta, djali i saj, tashmë gjashtë vjeç, u shërua plotësisht. Por Oboro thotë se përvoja ishte traumatizuese — dhe e frymëzoi atë të ndryshonte karrierën.
E shtyrë nga një mision i ri për të shpëtuar foshnjat nga verdhëza, ajo krijoi Crib A’Glow: një njësi fototerapie portative, të përballueshme, me energji diellore, e cila trajton verdhëzën duke përdorur drita blu LED. CNN
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.