Klasifikimi i hoteleve – MZHETTS: Si do të zgjidhen verifikuesit e strukturave
Reforma në sektorin e turizmit përfshin mes të tjerave edhe klasifikimin e strukturave akomoduese në përshtatje edhe të kuadrit ligjor.
Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizimit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes ka hapur tashmë thirrjen për përzgjedhjen e personave që do të bëjnë verifikimin në terren të strukturave akomoduese duke e krahasuar atë me vetëdeklarimin e bërë nga sipërmarrësi turistik.
Kriteret e përzgjedhjes që duhet të plotësojnë verifikuesit janë të ndara në dy aspekte ku së pari është eksperienca e tyre në të kaluarën e lidhur gjithmonë me turizmin dhe së dyti arsimimi i nevojshëm.
Të interesuarit që do të trajnohen për të verifikuar strukturat akomoduese duhet të dorëzojnë dokumentat e tyre deri më datën 6 mars.
Në të njëjtën thirrje jepen edhe detajet për mënyrën sesi do të bëhet kategorizimi i hoteleve.
Hapi i parë i këtij procesi është plotësimi në Regjistrin elektronik të Strukturave Akomoduese i formularit të vetë-deklarimit për klasifikimin e strukturës së tyre akomoduese dhe pajisjen e tyre me certifikatë klasifikimi.
Hapi i dytë i procesit të klasifikimit është verifikimi në terren i të dhënave të vetë-deklaruara nga sipërmarrësi turistik.
Hapi i tretë i procesit të klasifikimit është shqyrtimi i dokumentacionit dhe vendosja e nivelit të klasifikimit nga Komisioni i Standardizimit.
Nertila Maho/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.