“Kleçka” me tenderët pa shpallje – APP: Institucionet shmangin dërgimin e të dhënave, i hapin rrugën negocimeve
Institucionet shmangin dërgimin e të dhënave të tenderëve pranë Agjencisë të Blerjeve të Përqendruara, duke i hapur rrugën zhvillimin e procedurave me negocim pa shpallje paraprake, që njihen si procedurat më pak konkurruese në prokurimet publike. Konstatimi vjen nga Agjencia e Prokurimit Publik, e cila përmes një shkrese që mban datën 23 dhjetor iu kërkon autoriteteve kontraktore të zbatojnë afatet ligjore në drejtim të dërgimit të të dhënave teknike dhe fondet përkatëse për procedurat e prokurimit, për rastet kur ato zhvillohen nga Agjencia e Blerjeve të Përqendruara.
Më konkretisht, sipas legjislacionit në fuqi, autoritetet kontraktore, brenda 5 ditësh nga hartimi i regjistrit të parashikimit të proceduarve të prokurimit duhet të dërgojnë në Agjencinë e Blerjeve të Përqendruara, si organ qendror blerës, të dhënat teknike e sasiore dhe fondin për mallrat dhe shërbimet. Por, Agjencia e Blerjeve të Përqendruara ka konstatuar problematika në këtë drejtim , ndaj dhe APP kërkon që këto të dhëna të dërgohen në kohë.
Në këtë mënyrë do të shmangen pengesat për shpalljen dhe zhvillimin në kohë të procedurave të prokurimit, çka do të sillte situata të pambulimit me mallra e shërbime. Është pikërisht kjo situatë që çon institucionet që drejt përdorimit të procedurës “negocim pa shpallje paraprake të njoftimit”, në mënyrë që të plotësojnë nevojat e tyre për mallrat apo shërbimet që blejnë.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.