Klima e biznesit – 30 mijë biznese italiane punojnë në Shqipëri
Problematikat që shqetësojnë sipërmarrjen italiane që zhvillon aktivitetin ekonomik në vendin tonë ka qenë dhe tema kryesore e një takimi të Presidentit të “Confimi Industria Italia”, Paolo Agnelli me përfaqësues të biznesit italian në Shqipëri. Gjatë këtij takimi janë diskutuar nga afër nevojat e komunitetit italo – shqiptar që janë kryesisht biznese prodhuese.
Sipas tyre ka ardhur koha që tashmë të largohen nga mënyra e vjetër e të bërit biznes, në mënyrë të ndarë dhe individuale. Ata theksuan nevojën e bashkimit dhe të organizimit më të fokusuar tek nevojat e ndërmarrësisë, me një theks të veçantë në të vogla dhe të mesme kompani.
Aktualisht ky bashkim po përshtatet me realitetin ekonomik shqiptar dhe ka rreth 30.000 kompani italiane, ndërsa ka ngritur zyra në të gjithë vendin. Vetëm dy muaj më parë Drejtoria e Përgjithshme e Doganave nënshkroi një protokoll bashkëpunimi me Confindustria Albania, me synim për të lehtësuar dhe mbështetur operimin e kompanive të huaja, sidomos ato italiane në vendin tonë.
Sipas këtij protokolli, thjeshtimi i mjaft procedurave doganore ka lehtësuar veprimet administrative të sipërmarrjes në pikat doganore.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.