Klima e biznesit në Gjermani – Niveli më i lartë në 6 vite, largohen shqetësimet e zgjedhjeve

Humori i biznesit në Gjermani shënoi nivelin më të lartë në 6 vite për muajin Mars, duke treguar se ekzekutivët e kompanive në ekonominë më të madhe të Europës kanë larguar shqetësimet prej rritjes së proteksionizmit dhe zgjedhjeve në vend.
Indeksi i fortë mbi klimën e biznesit, i publikuar nga instituti për hulumtime ekonomike Ifo në Mynih, tregon se ekonomia gjermane e ka nisur në performancë të fuqishme vitin 2017.
Indeksi, që bazohet në sondazhe mujore drejt 7,000 firmave, u rrit në 123.4 pikë, nga 111.1 që ishte në muajin Shkurt.
Ekonomistët e pritën me habi këtë shifër, duke thënë se shqetësimet në lidhje me Brexit, Trump dhe zgedhjet më vonë gjatë vitit janë larguar. Analistët e përkthejnë këtë shifër në një rritje ekonomike prej 2% për vitin.
“Pasiguritë politike nuk po ndikojnë në ekonominë gjermane”, deklaron instituti Ifo. Të dhënat për Marsin treguan nivelin më të lartë që prej Korrikut 2011 dhe ishin sipër projeksioneve më optimiste nga ekonomistët.
Vlerësimi i situatës aktuale të biznesit nga manaxherët u përmirësua gjithashtu. Rritja në indeksin e klimës së biznesit u nxit nga sektorët e manifakturës, ndërtimit dhe shitjeve me pakicë.
Ekonomistët presin një rritje me 0.4% të ekonomisë gjermane në tremujorin e parë.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.