Klima e biznesit për të huajt, FIAA: Investitorët duan transparencë dhe sundim të ligjit

Shoqata e Investitorëve të Huaj në Shqipëri kërkon që çdo shqetësim i tyre, i nxjerrë nga anketa e realizuar për klimën e biznesit, të merret në konsideratë. Biznesi i huaj në vend kërkon me ngulm realizimin e objektivave kryesore; konsistencë, transparencë dhe sundim të ligjit.
Nga anketa e realizuar me rreth 70 bizneset kryesore në vend, rezulton se problematikat kryesore për ta lidhen me gjykatat, korrupsionin, mungesën e efikasitetit të Gjykatës Administrative, ndryshimet e shpeshta të legjislacionit dhe proceduarve tatimore si dhe informaliteti.
Ambasadorja e BE në Shqipëri, Romana Vlahutin, e pranishme në këtë takim, tha se dyshimi që kanë bizneset tek gjykatat duhet të ndryshojë. Sipas raportit, në 1 vit dyshimi që kanë bizneset tek gjykatat është rritur me 12 për qind.
Por, sipas Ministrit të Financave, Arben Ahmetaj, gjetjet e raportit justifikohen me faktin se, pritshmëritë e investitorëve janë rritur nga viti në vit. Sipas tij, shteti nuk i ka më borxhe biznesit të huaj, ndërsa disa vite më parë, ky borxh ishte rreth 220 milionë euro.
Sipas kësaj ankete, për të bërë biznes në Shqipëri, një pjesë e madhe e bizneseve shprehen për një klimë jo shumë të favorshme. Një element i kundërshtuar nga pothuajse të gjithë të anketuarit është Ligji për Anëtarësimin e Detyrueshëm në Dhomat e Tregtisë dhe Industrisë.
Elementë të tjera të trajtuara janë; Inspektimet e Taksave dhe Auditit, ku problematik vazhdon të jetë respektimi i afateve të rimbursimit të TVSH-së.
Entela Barjamaj/RTV SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.