Klosi në Rabdisht – “5-fishim i turistëve përmes ngritjes se bujtinave dhe kulinarisë”
Rabdishta është një nga fshatrat e përzgjedhur në projektin e “100 fshatrave” për shndërrimin e saj në një zonë me cilësi shumë të lartë shërbimi për turizmin malor. Ministri i Turizmit dhe i Mjedisit, Blendi Klosi gjatë një bashkëbisedimi me banorët e e këtij fshati, theksoi se janë të gjitha mundësitë për 5-fishimin e turistëve përmes ngritjes se bujtinave krahas kulinarisë, shërbimeve të tjera, guidave dhe mbajtjes pastër të së gjithë zonës.
“Kemi zgjedhur fshatin tuaj si një nga këto pika së bashku me partnered mbështetës të politikave tona të turizmit ne mund ta ndryshojmë kryekëput situatën e zhvillimit turistik. Ne kemi të gjitha mundësitë që numrin prej 20 mijë turistësh që ka kjo zonë në vit, ta pesëfishojmë me pak investime”, tha ministri.
Klosi deklaroi se investime si rruga e Arbrit do të çojnë në 100 mijë numrin e turistëve në zonën e Dibrës në harkun e dy viteve
“Rruga e Arbrit do ta shumëherëfishojë mundësinë e ardhjes së turistëve në këtë zonë, dhe që nga momenti që rruga mbaron fillon faza përgatitore për të qenë të gatshëm për të pritur këtë bum turistik.dhe ne folëm më Ismailin i cili është një ekspert shumë i mirë i fushës. Zona është shumë afër zonës suaj, zona e Valbonës, zona e Thethit, janë kthyer në destinacione turistike jo më vetëm për turistët e huaj që duan të hutohen nga bukuria natyrore shqiptare, por ne duhet t’i kthejmë këto zona edhe zona turizmi për vetë shqiptarët në radhë të parë dhe bërja e rrugës së Arbrit, hapja vetëm e trasesë së rrugës së Arbrit do të na e shtojë turizmin. Ndaj them që në harkun e dy viteve do të arrijmë numrin 100 mijë të turistëve në këtë zonë që do të thotë që ekonomia të disafishohet e të kemi mundësinë që të prodhojmë atraksione turistike”, tha Klosi.
Programi i qeverisë “100 fshatra” synon zbatimin e investimeve të përbashkëta strategjike për zhvillimin e integruar të hapësirave rurale të vendit.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.