KLSH: Borxhi tatimor shqetësues – Raporti: Numri i debitorëve më i madh se i kompanive aktive
Kontrolli i lartë i Shtetit e paraqet shumë shqetësuese situatën e detyrimeve të biznesit në administratën tatimore. Nga auditimi i kryer këtë vit te tatimet, KLSH konkludon se borxhi i biznesit në fund të vitit 2016 rezulton rreth 1.2 miliardë euro, me një rritje prej 45.5% krahasuar me një vit më parë.
Në raport theksohet se gjatë vitit 2016, Administrata Tatimore Qendrore ka pësuar një shtim rekord të detyrimeve tatimore të papaguara në afat, tregues ky i menaxhimit jo të mirë të këtyre detyrimeve nga administrata tatimore. Në vlerën e detyrimeve të papaguara prej 146 miliardë lekësh është e përfshirë edhe vlera prej 37 miliardë lekësh e 541 subjekteve që janë në proces gjyqësor. Ndërsa krahasuar me vitin 2011, gjendja e detyrimeve të papaguara në fund të vitit 2016 është 2.2 herë më e madhe.
Shqetësues për Kontrollin e lartë të Shtetit është edhe numri i bizneseve debitore te tatimet. Në fund të vitit 2016 numri i këtyre bizneseve arriti në 146,650 nga 79,785 që ishin në vitin 2011, me një shtim rreth 1.8 herë.
Kjo shifër bëhet më shqetësuese duke patur parasysh se nga të dhënat zyrtare të DPT-së subjektet tatimpagues aktive në fund të periudhës janë rreth 108 mijë, pra një numër shumë më i vogël se subjektet me detyrime të papaguara.
Lorenc Rabeta/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.