KLSH: Bujar Leskaj përfundon mandatin, kompetencat e kryetarit i kalojnë Lindita Milos
Në datën 8 janar 2019, pas botimit në Fletoren Zyrtare, ka hyrë në fuqi Vendimi i Kryetarit të KLSH sipas të cilit delegohet ushtrimi i detyrës dhe përgjegjësive shtetërore të titullarit të institucionit përgjatë fazës kalimtare e tranzitore nga përfundimi i mandatit kushtetues të Kryetarit të KLSH (datë 23 dhjetor 2018) deri në emërimin nga ana e Kuvendit të Shqipërisë të Kryetarit të ri të KLSH-së, tek Zv/Kryetari i KLSH, znj. Lindita Milo (Lati).
“Javën e fundit të dhjetorit në takime të veçanta, Kryetari i KLSH-së, z.Leskaj informoi për Vendimin e delegimit të kompetencave tek Zv/Kryetari i KLSH, znj. Lindita Milo, Presidentin e Republikës, Kryetarin e Kuvendit, zv/Kryetarin e Kuvendit, Kryetarët e Partive opozitare dhe Kryetarët e Grupeve Parlamentare, si edhe Kryetarin e Komisionit për Ekonominë dhe Financat në Kuvendin e Shqipërisë dhe pas realizimit të takimeve zyrtare, në datën 31 dhjetor 2018 përcolli vendimin tek Qëndra e Publikimeve Zyrtare. Vendimi hyri në fuqi me botimin në Fletoren Zyrtare në datën 8 janar 2019” njofton KLSH.
Zonja Lindita Milo (Lati), aktualisht Zv/Kryetare dhe Drejtore e Përgjithshme në Kontrollin e Lartë të Shtetit ka përfunduar studimet universitare në profilin Financë- kontabilitet, mban titullin shkencor “Profesor” si dhe gradën shkencore “Doktor” në Kontabilitet (1996) nga Universiteti i Tiranës dhe Ph.D. në Ekonomiks (2001) nga “Staffordshire University”, Britania e Madhe. Në vitet 2006-2016, zj.Milo ka qenë Kryetare e Autoritetit Shqiptar të Konkurrencës, që nga viti 1990 e në vijim Lektore pranë Departamentit të Kontabilitet, Fakulteti Ekonomik, Universiteti i Tiranës. Zonja Milo në vitet 2004-2010 ka qenë anëtare e Këshillit Kombëtar të Kontabilitetit, Bashkëpunëtore e jashtme e IEKA që në vitet e para të themelimit të profesionit të auditimit të jashtëm. Autore e disa teksteve, monografive, artikujve dhe punimeve të tjera shkencore në fushën e kontabilitetit, konkurencës, auditimit, etj.
Ky vendim, sipas KLSH-së, arsyetohet nga korniza ligjore e rregullatore në vendin tonë, si dhe u referohet praktikave më të mira bashkëkohore të INTOSAI-t që kontribuojnë në konsolidimin e pavarësisë, neutralitetit, paanësisë dhe integritetit të Institucioneve Supreme të Auditimit.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.