KLSH kallëzon në Prokurori drejtorin e spitalit psikiatrik në Vlorë – Dëm ekonomik shtetit 26,4 mln lekë
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kallëzuar në Prokurori drejtorin e spitalit psikiatrik “Ali Mihali” në Vlorë. Pas kryerjes së auditimit ka rezultuar se ndaj Buxhetit të Shtetit është shkaktuar një dëm ekonomik që kap vlerën 26,4 milionë lekë, ndërsa dëmi ekonomik i mundshëm në të ardhmen shkon në 31,3 milion lekë.
Nga auditimi rezultuan një sërë shkeljesh të dispozitave ligjore e nënligjore në fuqi, ndër të cilat më kryesoret janë:
-Në tenderin e zhvilluar me objekt “Shërbimi i lavanderisë dhe furnizimi me inventar ekonomik”, në shkurt 2016, me vlerë kontrate 112,009,392 lekë me TVSH, me afat 4 vite (01.05.2016-30.04.2020), dëmi ekonomik total i shkaktuar Buxhetit të Shtetit, nga përllogaritja e gabuar e vlerës së kontratës, është në vlerën 3,999,199 lekë për vitin e parë të kontratës dhe dëmi ekonomik i mundshëm në të ardhmen për 3 vitet e tjera të kontratës është në vlerën 11,755,860 lekë.
-Nga auditimi i zbatimit të procedurës së prokurimit të zhvilluar me objekt “Shërbime për pastrim të ambienteve të brendshme dhe të jashtme si dhe sistemimin e ambienteve të gjelbërta të Spitalit Psikiatrik Vlorë”, dëmi ekonomik i shkaktuar Buxhetit të Shtetit, nga përllogaritja e gabuar e zbatimit të vlerës së kontratës, është në vlerën 5,131,297.25 lekë me TVSH për 10 muaj të zbatimit të kontratës dhe dëmi i mundshëm/pritshëm për 38 muajt e tjera të realizimit të kontratës është në vlerën 19,498,929 lekë me TVSH.
“Evadimi i mbetjeve urbane të Spitalit Psikiatrik “Ali Mihali” Vlorë” me vlerë 1,479,971.98 lekë me TVSH, me një operator ekonomik privat. Evadimi i mbetjeve urbane është një shërbim i cili mbulohet nga kontrata 5 vjeçare me nr. 4558 Prot., e lidhur më datë 31.10.2014 mes të njëjtit operator ekonomik dhe Bashkisë Vlorë. Pra, për të njëjtin shërbim kompania private është paguar dy herë. Për pasojë, shuma e kësaj procedure në vlerën 1,479,971.98 lekë, përbën dëm ekonomik për llogari të Buxhetit të Shtetit”.
Në kundërshtim me Kodin e Punës në shërbimin e lavanderisë drejtori bëri ndërpreu marrëdhëniet e punës 4 punonjësve të lavanderisë dhe 28 punonjësve të pastrimit.
–“Nga mosndjekja e procedurave ligjore në ndërprerjen e marrëdhënieve të punës me ish punonjësit, Spitali Psikiatrik Vlorë është paditur me të drejtë nga 22 persona, nga të cilët 12 janë në proces gjykimi, nga ku pretendohet një dëmshpërblim në vlerë totale 6,158,765 lekë fituar në shkallën e parë të gjykimit, ndërsa 10 çështje janë përfunduar, duke e detyruar Spitalin Psikiatrik Vlorë të paguajë vlerën 7,737,491 lekë, vlerë e cila përbën efekt financiar negativ për Buxhetin e Shtetit”.
-Nga auditimi i gjendjeve debitore rezulton se institucioni nuk ka politika të qarta për arkëtimin e detyrimeve dhe menaxhimin e debitorëve dhe nuk ka mundur të arkëtojë debitin e krijuar ndër vite në vlerën 14,808,039 lekë.
Gjithashtu, për përmirësimin e punës, KLSH ka rekomanduar 15 masa organizative, 14 masa për shpërblim dëmi dhe 6 masa disiplinore.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.