“Kobalt cilësor në Prrenjas” – Kompania kanadeze blen aksionet shqiptare për 5.41 mln euro
Kompania kanadeze European Electric Metals ka lidhur një marrëveshje për të blerë 100% të aksioneve të kompanisë shqiptare “Gerold”, që ka në pronësi minierën e hekur-nikelit Skroska, në Prrenjas. Lajmi është bërë me dije nga vetë kompania, përmes një njoftimi në faqen e saj online. Ndërkohë që, sipas kushteve të marrëveshjes, i gjithë transaksioni kap vlerën e 5.41 milion euro për 3 vite, ku përfshihet edhe një kredi e kompanisë shqiptare.
Ekipi gjeologjik kanadez ka ndërmarrë një studim të thelluar mbi mundësinë e nxjerrjes së mineralit të kobaltit në këtë minierë, ndërsa beson se cilësia e tij mund të ketë ngjashmëri më kobaltin e Kamerunin. Në deklaratë citohet edhe drejtori i përgjithshëm i kompanisë, Fred Tejada, i cili shprehet i lumutur për njohjen e potencialit për nxjerrjen e kobaltit të cilësisë së lartë në minierën e Skorskës.
”Ky transaksion përfaqëson një hap të madh drejt qëllimit tonë për t’u bërë një burim etik i prodhimit të kobaltit të klasës së lartë, brenda një mjedisi evropian”, shton ai. Sipas të dhënave të kompanisë, kjo minierë ka një rezervë totale prej 22.4 milion ton e ndarë në 0.99% Nikel, 50% hekur dhe 0.065% kobalt, ndërkohë që ajo shpreson të nisë operacionet brenda 6-12 muajsh.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.