Kohë protestash! Përveç arsimit, për çfarë po protestohet tjetër në vend?
Përpos protestës së studentëve që ka marrë vëmendje të gjerë të opinionit publik, të tjera protesta kanë dalë në skenë.
“Eja protesto për çmimin e naftës”, është një thirrje që po bëhet në rrjetin social facebook, ku fton qytetarë që të bëhen bashkë ditën e shtunë.
Ndërkohë protesta nëpër qytete ka nisur nga dita e martë. Qindra qytetarë nga Fieri e Vlora kanë bllokuar aksin rrugor Levan-Vlorë, ndërsa fermerët në Korçë kanë bllokuar aksin rrugor Korçë – Pogradec, duke hedhur edhe prodhimet e tyre bujqësore në rrugë si shenjë proteste e çmimit të lartë të naftës.
“Arsyeja e hapjes së këtij eventi është mbledhja e të gjithë SHQIPTARËVE për të protestuar mbi çmimin e naftës dhe cilësinë me të dobët në rajon. 🚫⛽🚗
TE GJITHE SE BASHKU DATA 15 ORA 11.00 TE PROTESTOJME PER NJE MASHTRIM NDER VITE!!
🚫EJAPROTESTO
🚫PROTESTE JOPOLITIKE
E Shtuna po afron qarkullimi do bllokohet në të gjithë Tiranën dhe Shqipërinë.
Shqiptar mos rri po duku..👏🚫⛽”, thuhet në njoftimin e protestës.
Protesta e studentëve është në ditën e 8 të tyre, të cilët kërkojnë nga qeveria arsim më të lirë dhe më cilësor. Përveç studentëve të universitetit të Tiranës, kësaj proteste i janë bashkuar edhe studentët e universiteteve të rretheve, gjimnazistë, familjarë e aktivistë të shoqërisë civile.
Lexo edhe këtë: Protesta e studentëve – Të rinjtë dorëzojnë 8 kërkesa në ministri
Një tjetër protestë e cila po zhvillohet në një tjetër front, është ajo e banorëve të Astirit në kryeqytet, të cilët preken nga zgjerimi i Unazës së re. Banorët protestojnë në ditën e 38 të tyre, çdo mbrëmje në orën 17. Ndërkohë edhe banorët e Bregut të Lumit e Shkozës kërkojnë mos prishjen e banesave të tyre. Prej ditësh ata protestojnë, pasi preken nga projekte të tjera infrastrukturore.
Ndërkohë një ditë më parë, me 10 dhjetor qindra qytetarë të Kavajës, Lezhës dhe Shkodrës kanë protestuar në qytetet e tyre për një sërë problematikash të tjera.
E.Z/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.