Kolapsi i naftës dekurajon prodhuesit – Shitjet për Shkurtin bien ndjeshëm, alternativat janë të kushtueshme
Periudha e vështirë për makinat me naftë po përkeqëson planet e prodhuesve në arritjen e objektivave strikte të Bashkimit Europian, si dhe shmangur gjobat e mëdha.
Ekzekutivët e kompanive të mbledhur këtë javë në panairin e makinave në Gjenevë, gjenden mes alternativash dekurajuese: rindërtimin e makinave ekzistuese me kosto më të mëdha; kufizimin e shitjeve të disa modeleve fitimprurëse; apo gjoba në qindra milionë euro.
“Jam i shqetësuar, por është detyra jonë që t’i japin zgjidhje. Kam besim se makinat me naftë do të pësojnë një rimëkëmbje”, tha ekzekutivi i Volkswagen, Mathias Mueller. Megjithatë, njoftimet e fundit mbi ndalimin e këtyre makinave, po dëmtojnë shitjet e tyre.
Analistët e industrisë parashikojnë që prodhuesit do të frenojnë shitjet e modeleve të mëdhenj duke rritur çmimin, për të shmangur thyerjen e objektivit të Bashkimit Europian, në 95 gram për kilometër.
Nisur nga skandali i Volkswagen në vitin 2015, humbjet në këtë sektor janë përkeqësuar duke mos patur stabilizim, si ç’prisnin ekzekutivët e firmave, përfshirë Mueller. Shitjet e makinave me naftë ranë me 8% në Europë gjatë vitit të kaluar, duke e çuar pjesën e tregut në 44% nga 55% që ishte niveli rekord i 2011-ës.
Vetëm gjatë muajit të kaluar, shitjet e makinave me naftë ranë me 19% në Gjermani dhe me 24% në Mbretërinë e Bashkuar. Prodhuesit francezë, që janë mbështetur kryesisht te nafta për të arritur objektivat e emetimit të gazrave ndotës, gjenden gjithashtu në vështirësi.
Renault ka përshpejtuar prodhimin e një modeli low-cost hibrid, të njohur si “Locobox”, por që pritet të dalë në treg në vitin 2021.
Ekzekutivi i Peugeot-Citroen, Carlos Tavares, ka insistuar se po respekton rregullat, por i ka bërë thirrje qeverive që të pezullojnë gjobat për mospërputhje deri sa rrjetet e karikimit të makinave elektrike të jenë zhvilluar.
Sipas firmave hulumtuese (MSCI) , të gjithë prodhuesit përveç Toyota rrezikojnë thyerjen e objektivave për emetimet deri në vitin 2021.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.