Koleksioni i atleteve shitet për një çmim rekord prej 25 milionë dollarë!
Sotheby’s ka shitur 200 palë atlete të dizajnuara nga i ndjeri Virgil Abloh për një shumë totale “rekord” prej 25.3 milionë dollarë, tha shtëpia e ankandeve të mërkurën – më shumë se tetë herë më shumë se vlerësimi fillestar prej 3 milionë dollarësh. Atletet e edicionit special Louis Vuitton dhe Nike “Air Force 1” janë projektuar për Louis Vuitton Pranverë-Verë 2022, tha Sotheby’s në një njoftim për shtyp.
Megjithatë, ka pasur atlete individuale me një çmim më të lartë, pikërisht një palë Nike Air Ships të veshura nga ylli i basketbollit Michael Jordan, të cilat u shitën për 1.47 milionë dollarë në tetor.
Abloh, i cili ishte drejtor artistik i veshjeve për burra të Louis Vuitton – dhe drejtori i parë artistik me ngjyrë i shtëpisë së modës – vdiq në nëntor në moshën 41-vjeçare pasi luftoi privatisht me një formë të rrallë kanceri për dy vjet.
Këpucët varionin në madhësi nga 5 deri në 18, me palët e madhësisë 5 që siguronin çmimin më të lartë, në 352,800 dollarë – 23 herë më shumë se vlerësimi i lartë prej 15,000 dollarësh. Sotheby’s tha se mori 10,000 oferta në total — 40% e të cilave erdhën nga Azia. Më shumë se dy të tretat e ofertuesve ishin të moshës nën 40 vjeç.
Secila palë shitej me një këllëf portokalli Louis Vuitton të bërë prej lëkure taurillon dhe të riinterpretuar nga dizajnet e mëparshme në arkivin e shtëpisë së modës.
Të ardhurat nga shitja do të shkojnë në Fondin e Bursave Virgil Abloh “Post-Modern”, një shoqatë bamirëse e krijuar për të mbështetur arsimimin e studentëve premtues me origjinë afrikano-amerikane dhe afrikane, shtoi shtëpia e ankandeve. Abloh ishte përfshirë në organizimin e hershëm të ankandit përpara se të vdiste, tha Sotheby’s.
Përveçse ishte një stilist në Louis Vuitton, Abloh themeloi etiketën Off-White. Ai ishte gjithashtu një DJ dhe një ish-drejtor kreativ në agjencinë e dizajnit Donda, në pronësi të Kanye West, i cili tani njihet si Ye. Në Louis Vuitton, ai u vlerësua për sjelljen e një apeli demografik më të ri për markën dhe për mjegullimin e linjave midis modës së lartë dhe veshjeve të rrugës. CNN
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.