Kolumbia sekuestron mbi 300 merimanga dhe akrepa të destinuara për kontrabandë në Europë!
Autoritetet në Kolumbi kanë sekuestruar mbi 300 merimanga, akrepa dhe buburreca që po kontrabandoheshin për në Europë. Insektet u gjetën në 210 kontejnerë plastike në Aeroportin Ndërkombëtar El Dorado të Bogotas, sipas burimeve zyrtare të vendit.
Ato po transportoheshin ilegalisht nga kryeqyteti kolumbian në Gjermani, shtuan ata. U gjetën gjithsej 232 tarantula, nëntë vezë merimangash, 67 buburreca dhe një akrep me shtatë pasardhës.
Speciet po transportoheshin në një valixhe nga dy shtetas gjermanë, të cilët pretendonin se po i merrnin kafshët për qëllime akademike. Dy të dyshuarit janë arrestuar nën akuzën se kanë transportuar insekte pa lejet e nevojshme.
Ndërkohë autoritet vendase bëjnë me dije se merimangat, buburrecat dhe akrepat janë transferuar në një ambient të posaçëm.
Në vitin 2021, autoritetet kolumbiane thonë se kanë rikuperuar më shumë se 11,000 specie, më shumë se 3,800 prej të cilave ishin tashmë të vdekura. Trafikantët e kafshëve të egra shpesh përpiqen të kontrabandojnë specie të ndryshme jashtë vendit përmes kryeqytetit kolumbian.
Në shtator, autoritetet sekuestruan 3,493 pendë peshkaqeni – ekuivalente me 900 deri në 1,000 peshkaqenë – që do të dërgoheshin ilegalisht në Hong Kong nga aeroporti El Dorado. Në tetor 2018, 23 tarantula u zbuluan gjithashtu të fshehura në disa kuti drithërash në rrugën e tyre për në Seul në Korenë e Jugut. EN
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.