Komentet e Bankës së Anglisë – Carney flet për rritjen e normave të interesit, paundi rritet

Guvernatori i Bankës së Anglisë, Mark Carney, tha se duhet nisur rritja e normave të interesit ndërkohë që ekonomia po operon në kapacitet të plotë dhe se institucioni do të diskutojë mbi vendimin në muajt që vijnë.
Carney ka ndryshuar qëndrim nga takimi i fundit i politikave monetare, ku tha se normat e interesit do të qëndrojnë në nivele rekord të ulëta.
Paundi u rrit në nivelin më të lartë që prej zgjedhjeve të 8 Qershorit. Kundër dollarit, valuta britanike arriti në 1.2988, nga 1.28 që ishte përpara deklaratës.
Carney tha se politikëbërësit duhet të shohin investimet e forta të bizneseve që kanë kompensuar për ngadalësimin në konsum.
“Këto janë disa nga çështjet që Komisioni i Politikave Monetare do të debatojë në muajt që vijnë. Heqja e stimujve monetarë ka gjasa të bëhet e nevojshme”, tha Guvernatori.
Në takimin e muajit Qershor vetëm 3 politikëbërës, nga 9, ishin pro rritjes së normave të interesit nga niveli rekord i ulët prej 0.25%.
Britania ishte ekonomia e zhvilluar me hapin më të shpejtë të rritjes vitin e kaluar, por rritja për tremujorin e parë u ngadalësua në vetëm 0.2%.
Megjithatë, muajin e kaluar, Banka e Anglisë projektoi se rritja ekonomike këtë vit do të jetë pak poshtë trendit afat-gjatë, në rreth 1.9%. Inflacioni ka arritur në nivelin më të larë në rreth 4 vite, në 2.9% gjatë muajit të kaluar, shumë sipër objektivit prej 2%.
Guvernatori shtoi se rritja e fortë në botë, do të rrisë ekuilibrin global të normave të interesit dhe do të bëjë që politikat e Bankës së Anglisë të duken lehtësuese.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.