Komisioni i Venecias në Tiranë – PD: Vetting politikanëve, PS: Opinioni i Venecias, tabani i demokracisë
Një delegacion me gjashtë anëtarë i Komisionit të Venecias ka mbërritur në Tiranë për t’u njohur me propozimet e opozitës për Vetingun në Politikë. Takimet nisën me Vasilika Hysin, më pas me kryetarët e grupeve parlamentare. Në fjalën e saj znj Hysi, vlerësoi rolin dhe kontributin e Komisionit të Venecias në reformën në drejtësi dhe për disa nisma të tjera ligjore të miratuara ose që janë në procedurë parlamentare, përfshirë edhe nismën në fjalë.
Për rreth një orë në Kryesinë e Kuvendit, përfaqësuesit e Komisionit të Venecias kanë zhvilluar një takim me kryetarin e grupit të PD, Spaho, i cili shoqërohej nga Bylykbashi, Alibeaj dhe eksperti ligjor Bardhi. Në përfundim të takimit, Spaho u shpreh se PD kërkon nga Komisioni i Venecias që të ndjekë të njëjtin standard që është vendosur për prokurorët dhe gjyqtarët. Pas takimit me PD, përfaqësuesit e Komisionit të Venecias kanë zhvilluar një bisedë për rreth një orë edhe me përfaqësuesit e PS.
Kryetari i komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja në përfundim të takimit tha se opinioni i Venecias është tabani i demokracisë. Më pas delegacioni do të vijojë takimet me Presidentin, Ministren e Drejtësisë dhe ambasadorin e BE. Ndërsa nesër do të ketë takime me kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, kryetarin e ILDKPKI dhe kreun e EURALIUS. Reporterët gjenden në Shqipëri për një qëndrim 2-ditor, në kuadër të vizitave për mbledhjen e të dhënave të nevojshme për përpunimin e opinionit zyrtar të Komisionit të Venecias lidhur me projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 84/2017, datë 21.10.1998 “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”, nismë e deputetëve të grupit parlamentar të Partisë Demokratike dhe grupit parlamentar të Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.