Kompania holandeze e gazit “Gasunie” e gatshme për partneritet me “Albgaz”

Bordi drejtues i kompanisë shtetërore holandeze “Gasunie” u prit sot në një takim nga Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri.
Tema e takimit ishte partneriteti i mundshëm mes dy kompanive shtetërore të gazit.
Ministri Gjiknuri informoi delegacionin holandez mbi ecurinë e ndërtimit të gazsjellësit TAP si dhe i njohu ata me me ecurinë e punës për përfundimin e Masterplanit të Gazit në Shqipëri, studimit të fizibilitetit dhe evidentimin e projekteve kryesore të investimit.
Drejtuesit e kompanisë “Gasunie” shfaqën gatishmërinë për vendosjen e partneritetit me kompaninë shtetërore “Albgaz” dhe treguan interes në planet kryesore të zhvillimit të infrastrukturës së gazit në Shqipëri.
Grupi, i cili përbëhej nga shefi ekzekutiv i kompanisë dhe anëtarë të bordit drejtues, u ndal edhe tek projektet e tjera si gazsjellësi Jonian-Adriatik, i cili mund të ndryshoj më tej hartën energjitike të Shqipërisë.
Ministri Damian Gjiknuri vlerësoi partneritetin mes dy kompanive si një shtysë të rëndësishme për të marrë përvojën dhe eksperiencat më të mira, me synim përmbushjen e objektivave të gazifikimit në vend.
Kompania “Gasunie” është mjaft prestigjoze në Europë dhe zotëron mbi 15 mijë kilometra linjë transmetimi të gazit mes Holandës dhe Gjermanisë. Ajo gjithashtu zotëron 60% të aksioneve të gazsjellësin BBL mes Holandës dhe Anglisë, si dhe 9% të gazsjellësit kryesor europian Nord Stream.
Sa i përket “Albgaz”, qeveria shqiptare e ka miratur ngritjen e kompanisë shtetërore të gazit, e cila do të ketë një rol të rëndësishëm në gazifikimin e vendit.
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.