Kompania italiane fillon aktivitetin në sektorin automotiv. Ahmetaj, “Industri me vlerë të shtuar në ekonomi”
Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj ishte në një vizitë në kompaninë italiane Mabiel, pjesë e grupit Martinetto, e cila ka filluar rishtazi aktivitetin e saj në Shqipëri në industrinë automotive, një sektor me zhvillim të rëndësishëm në tre vitet e fundit në vend.
Kompania, e cila erdhi për herë të parë në Shqipëri në gusht 2017, filloi aktivitetin brenda një kohe shumë të shkurtër, në muajin dhjetor. Produkti eksportohet në të gjithë vendet e botës, në Europë, Azi e Amerikë.
“Këtu jemi në një fabrikë të re, të ndërtuar nga grupi Martinetto, të cilët prodhojnë produkte specifike për industrinë automotive. Kanë vetëm dy muaj që kanë filluar. Siç e shikoni, industria është pothuajse e gjitha robotike, pra nuk është nga ato industri ku punësohen me qindra e me mijëra, por është nga ato industri që kanë vlerë të shtuar serioze për ekonominë shqiptare. Është realisht një nga dy prodhuesit e këtyre produkteve specifike në botë. Për ta shpjeguar, janë fijet metalike të guarnicioneve të makinave dhe sigurisht që janë vetëm për eksport, për eksport në Japoni, për eksport në Australi, për eksport në Amerikë, madje përfitojnë edhe nga marrëveshja e tregtisë së lirë që ne kemi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, apo dhe diku tjetër në Europë”, tha Ahmetaj.
Administratori i kompanisë, Claudio Paganini, tha se ka gjetur mbështetje shumë të madhe për fillimin në një kohë shumë të shkurtër të biznesit të tij në Shqipëri.
“Jemi shumë të lumtur që ndodhemi këtu. Kjo është një fushë strategjike për ne, jemi këtu me këtë produkt, që është një produkt për makinat. Bëjmë 95 % eksport dhe jemi të sigurt se do të jetë një sukses. Jemi vërtet të kënaqur që jemi këtu sepse përveç të tjerash kemi gjetur një ent, si AIDA, mbështetja e së cilës ishte shumë e rëndësishme për ne, sepse nuk njihnim vendin, nuk njihim askënd, pra ishte një ndihmesë e madhe. Kjo ishte për ne vërtet e rëndësishme, kështu që faleminderit” – tha Paganini.
Mabiel me qendër në Torino, është një nga dy kompanitë në botë për prodhimin e pjesëve specifike të guarniconeve të makinave, konkretisht shirita me fije metalike dhe sintetike që vendosen si skelete në pjesën e brendshme të profileve të gominave të makinës dhe kabinës elektrike.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.