Kompanitë irlandeze të transportit përgatiten të anashkalojnë portet britanike pas Brexit
Kompanitë e transportit po rrisin shërbimet e drejtpërdrejta të mallrave midis Irlandës dhe Evropës kontinentale, pasi transportuesit e vendit po planifikojnë të anashkalojnë portet britanike pas Brexit.
Megjithëse transportuesit irlandezë kanë përdorur Britaninë si një portë për tregjet e tjera të BE-së, largimi i afërt i Britanisë së Madhe nga BE ka shkaktuar shqetësim rreth kufizimeve të gjata dhe kontrolleve të rrepta doganore gjatë kalimit në portet e saj.
Sipas “Financial Time”, përgatitjet vijojnë pavarësisht premtimit të qeverisë britanike për tregti pa frikë pas Brexit dhe një tranzicioni të planifikuar, që nënkupton respektimin e rregullave të BE nga Britania deri në vitin 2020.
Rrugët e drejtpërdrejta në Europën kontinentale kanë potencialin për të zhvendosur një pjesë të trafikut të mallrave midis Irlandës dhe Britanisë, edhe pse mbështetja e madhe e Irlandës në tregtinë me Britaninë nënkupton që lidhjet midis vendeve do të vazhdojnë të jenë një shtyllë kryesore.
Sipas një studimi të vitit të kaluar, 57% e eksportuesve irlandezë mund të furnizonin vendet e BE-së duke transportuar mallrat direkt në portet kontinentale në rast se koha e transitit ose kostot përmes Britanisë rriteshin.
Verona Murphy, presidente e Shoqatës Irlandeze të Transportit Rrugor, tha se bizneset kishin frikë nga vonesa të gjata në portet e Britanisë nëse Theresa May, kryeministrja britanike, vazhdonte me planet e saj për të lënë bashkimin doganor të BE dhe tregun e brendshëm.
“Kemi tre kontrolle të pritshme: dogana, departamenti i bujqësisë dhe më pas emigracioni. Do të jetë diçka e madhe. Nga perspektiva jonë thjesht nuk mund të ishte më keq”, shtoi ajo.
Sipas saj, kohët e transitit në rrugët direkte ishin më të gjata, por do të ofronin më shumë siguri mbi oraret e kamionëve në rast të kontrolleve të reja në portet e Britanisë së Madhe.
Kapaciteti ditor për kamionët në rrugët midis Dublinit dhe portit të Uellsit të Holyhead është rreth 1000 në çdo rrugë, sipas Shoqatës së Eksportuesve Irlandezë. Rrugët që lidhin Rosslare në bregun juglindor të Irlandës me portet e Uellsit, Fishguard dhe Pembroke së bashku kanë një kapacitet ditor prej 250 çdo rrugë.
Pjesa më e madhe e këtij trafiku udhëton në Evropën kontinentale. Të dhënat tregojnë se dy të tretat e eksportuesve kryesorë irlandezë që transportojnë mallra kontinent e bëjnë këtë nëpërmjet Britanisë, duke përfituar nga kalimet e detit të shkurtër, autostradat dhe portet e gjera të Britanisë si dhe tuneli i Channel.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.